0030 210 33 18 483

Greqia përcakton modelitetet për kultivimin e kanabisit industrial

02 Prill 2016

Në Greqi do të fillojë kultivimi i kanabisit industrial. Vendimi i nënshkruar nga ministri i drejtësisë dhe ai i zhvillimit bujqësor, argumentohet me zbatimin e rregulloreve të Komisionit Europian dhe vendosen kritere dhe parametra tepër të rrepta. Vitet e fundit në Greqi janë intensifikuar lëvizjet që kërkojnë legalizimin e kanabisit për përdorim vetiak apo mjekësor. Që nga 2015-a në sheshin Syntagma zhvillohet Festivali i Kanabisit, në një përpjekje për luftuar penalizimin e përdoruesve të kësaj droge. Mirëpo opinioni publik mbetet tepër paragjykues. Në fakt, Greqia ka miratuar që në mars të vitit 2013 kultivimin e kanabisit industrial, por ligji i miratuar atëherë nuk kishte marrë fuqi ligjore, për shkak se ende nuk ishte nënshkruar vendimi ministror që do të parashikonte modalitetet e zbatimit. Tashmë vendimi është nënshkruar dhe mendohet se mjaft fermerë do të fillojnë menjëherë të mbjellin farën e kërpit, ose siç njihet gjerësisht, kanabisit industrial. Në përpjekje që të parandalojë kultivimin për qëllime droge, qeveria do të ushtrojë vazhdimisht kontrolle dhe analiza labratorike të kampionëve të prodhimit që do të merren sistematikisht. Vendimi përcakton se lejohet kultivimi vetëm i kanabisit me përmbajtje tepër të ulët të lëndës tetrahidrokanabiol (THC) dhe se në asnjë rast kjo përmbajtje nuk mund të jetë më shumë se 0,2%. Nëse rezulton një përmbajtje më e madhe e THC, atëherë do të sinjalizohen shërbimet përkatëse të policisë që do të procedojnë kultivuesin. Për shkelje të tjera që mund të konstatohen, parashikohen gjoba deri në 100.000 euro. Vendimi i qeverisë greke vjen dy muaj pasi 20 deputetë të SYRIZA-s kishin propozuar legalizimin e kanabisit industrial, duke theksuar se ky është një proces i cili madje subvencionohet nga Bashkimi Europian. Deputetët theksonin se në Greqi ende nuk është bërë e qartë që kanabisi industrial nuk ka asnjë lidhje me drogën, ndërsa vinin në dukje se kultivimi i kanabisit industrial mund të shndërrohet në një faktor pozitiv në përpjekjet e vendit për të riorientuar prodhimin primar dhe sekondar. Tribuna

Ndaje me miqte