0030 210 33 18 483

Greqia përfshihet nga zjarret rrezikohen edhe zona të banuara

Tribuna 01 Gusht 2017

Greqia është përfshirë nga një valë zjarresh që kanë shpërthyer në zona të ndryshme të vendit. Sipas sekretariatit të mbrojtjes civile, në të gjithë vendin, ka aktualisht 36 vatra zjarri. Në pjesën lindore të Athinës po vazhdon që prej ditës së djeshme zjarri në zonën Kalivia. Në një moment gjuhët e flakëve thuajse prekën banesat në qytezën turistike Saronida, po e keqja më e madhe u mënjanua falë ndërhyrjes së vendosur të zjarrfikësve. Për shumë orë ishte ndaluar edhe qarkullimi në segmentin nga Athina deri në Sunio, ku ndodhet zona arkeologjike e tempullit të Poseidonit. Megjithatë, ende nuk është arritur që zjarri të vihet nën kontroll, edhe pse aty janë përqendruar forca të mëdha. Shërbimi zjarrfikës njoftoi mesditën e të martës se në zonë po veprojnë më shumë se 150 trupa, mbi 60 automjete zjarrfikëse, si dhe 3 helikopterë dhe dy avionë. Situata mbetet mjaft e vështirë për shkak të erërave të fuqishme që fryjnë që nga dita e djeshme. Ndërkohë që e marta është paralajmëruar si një ditë me rrezikshmëri të lartë, dhe autoritetet e qytetarët janë porositur që të kenë kujdes të veçantë. Rrezikshmëria më e lartë është lokalizuar në Athinë, Peloponez, Greqinë perëndimore dhe atë kontinentale, si dhe në ishujt e rajonit verior dhe jugor të detit Egje.

Ndaje me miqte