0030 210 33 18 483

Grupi mediatik DOL kalon te Vangelis Marinakis për 23 milionë euro

Tribuna 31 Maj 2017

Grupi më i madh mediatik grek, DOL, ka kaluar në duart e manjatit të anijeve dhe njëherazi pronar i Olympiakosit, Vangelis Marinakis. Ky i fundit ka paraqitur ofertën më të mirë, prej 23 milionë eurosh, në ankandin e shitjes së grupit mediatik. Në arsenalin e DOL përfshihen dy prej gazetave më të mëdha e më historike të vendit, “To Vima” dhe “Ta Nea”, portali gjithashtu më i madh, “in.gr”, dhjetra revista dhe një radiostacion. DOL disponon po ashtu, 22,1% të aksioneve të televizionit Mega Channel, 50% të shtypshkronjës më të madhe të vendit dhe 41% të agjencisë së vetme të shpërndarjes së shtypit. Të gjitha këto aksione tashmë do të kalojnë në duart e manjatit 50 vjeçar, Vangelis Marinakis. Që prej fillimit të krizës në Greqi, DOL u detyrua të largonte nga puna një numër të konsiderueshëm gazetarësh dhe personel teknik. Grupi mediatik, për të cilin thonë se për dekada rrëzonte dhe ngrinte qeveri, u ndodh vitin e kaluar në prag të falimentimit, pasi bankat i bllokuan gjithë llogaritë për shkak të kredive të pashlyera që arrinin në 174 milionë euro. Ishin bankat që vendosën nxjerrjen në ankand të grupit mediatik dhe e mërkura ishte dita e hapjes së dosjeve me ofertat. Nga pesë pjesëmarrësit në tender, Marinakis kishte ofertën më të mirë.

Ndaje me miqte