Halim Kosova prezanton programin për bashkinë e kryeqytetit
01 Qershor 2015
Kandidati i Partisë Demokratike për bashkinë e Tiranës, Halim Kosova, prezantoi pasditen e të hënës programin e tij për kryeqytetin.
Duke folur për kundërshtarin e tij Erion Veliaj, Kosova u shpreh se, “Nuk mund të dal nga vetja, nuk ma lejon formimi, edukata, vitet, ndaj nëse politika e do kështu, unë u them që nuk bëhem dot 99-tësh. Etika ndaj atyre që ofendojnë dhe ofendojnë janë vlerat që nuk duhet të humbasin asnjëherë”.
“Unë kandidova - tha Kosova - me bindjen se sot ata që besojnë te ndershmëria janë shumicë, se ata që përbuzin hipokrizinë dhe arbitraritetin dhe vlerësojnë sinqertietin janë shumicë”.
Kandidati demokrat tha se nuk ndan qytetarët në të majtë dhe të djathtë dhe se kërkonte votën për ruajtjen e vlerave të individit dhe shoqërisë, pa të cilat, sipas tij, partitë politike kthehen në skllavëruese të qytetarëve, dhe jo në shërbëtore të tyre.
Për të risjellë aty ku duhet raportet e shtrembëruara e shoqërisë me individin, po kërkoj votën më shumë se cdo gjë tjetër, duke ju vënë përpara përgjegjësisë historike. Kandidati i demokratëve renditi disa pika, që ai i quajti çelësi i ndërtimit të Tiranës.
“Përdorimi i parave në mënyrë të mençur dhe transparente, ulje me 30 për qind e taksave lokale, përdorimi i fondeve publike dhe sigurimi i 15 mln euro për bizneset e reja, reduktim i procedurave bashkiake për nisjen e një biznesi, reduktimi i taksave dhe 24 mijë vende të reja pune në 4 vite, 10 mijë punësohen përmes praktikave, trajnimeve të Bashkisë së Tiranës”, tha ai.
Duke qenë se me ndarjen e re, bashkia e madhe e Tiranës përfshin edhe 115 fshatra, Kosova shpalosi edhe programin për këto zona. “Do të synojmë që diferenca të vijë duke u zvogëluar. Për të realizuar këtë, kemi vendosur që të ketë një nënkryetar bashkiak dedikuar vetëm potencialeve rurale zhvillimore, të ndërtojmë 13 pika grumbullimi dhe 6 pika të reja tregtimi, të asfaltojmë të gjithë rrugët që lidhin zonat rurale me ato urbane”, u shpreh ai.
Ndaje me miqte