0030 210 33 18 483

Hapja e negociataveBasha: Sot një ditë shprese për shqiptarët sfidë zgjedhjet e lira

TRIBUNA 10 Nentor 2016

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, deklaroi se sot ka një dritë shprese për të gjithë shqiptarët që e duan Shqipërinë si e gjithë Europa. Në një deklaratë për mediat, pas marrjes së rekomandimit të Shqipërisë për hapjen e negociatave për anëtarësim në BE, kryetari i PD-së, Basha, tha se “Në çerekshekullin e kaluar Shqipëria ka njohur probleme të mëdha, kriza të rrezikshme shoqërore dhe politike dhe shumë shpesh ka njohur dhe dështime, prandaj ia dedikoj këtë arritje në radhë të parë njerëzve të thjeshtë. Ka qenë forca e tyre dhe presioni që i kanë bërë politikës të ndërmarrë hapat në procesin e integrimit të Shqipërisë”. Basha, pasi vlerësoi kontributin e Partisë Demokratike, theksoi se rruga që kemi përpara është e vështirë, sfida të mëdha na presin, siç janë sfida e zgjedhjeve te ardhshme dhe lufta kundër korrupsionit. “Partia Demokratike dhe unë do të jemi në krye të këtyre përpjekjeve, që politika të kthehet në shërbim të aspiratave të qytetarëve dhe mbi të gjitha, të arpiratës së tyre europiane”, theksoi Basha. Deklarata e plotë e kryetarit të PD, Lulzim Basha Rekomandimi për hapjen e negociatave për anëtarësimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian është një lajm i shkëlqyeshëm për Shqipërinë dhe për gjithë shqiptarët. Urojmë dhe shpresojmë që ky rekomandim të kthehet sa më parë në një vendim të Këshillit Europian për hapjen e negociatave të Shqipërisë. Kjo është një fitore në radhë të parë e qytetarëve shqiptarë që kanë besuar dhe besojnë tek e ardhmja europiane e vendit, që kanë luftuar dhe luftojnë për të ardhmen europiane të vendit. Hapja e negociatave do të jetë fillimi i një rruge të gjatë, të vështirë por të sigurt dhe të pakthyeshme të përparimit të vendit tonë. Sot ka një dritë shprese për të gjithë shqiptarët që e duan Shqipërinë si gjithë Europa. Në çerekshekullin e kaluar Shqipëria ka njohur probleme të mëdha, kriza të rrezikshme shoqërore dhe politike dhe si shumë shpesh ka njohur edhe dështime. Prandaj ia dedikoj këtë arritje, në radhë të parë dhe ja njoh si meritë njerëzve të thjeshtë, ka qenë forca e dëshirës së tyre dhe presioni që i kanë bërë politikës ajo që i ka detyruar politikën të ndërmarrë hapa në procesin e integrimit. Si kryetar i Partisë Demokratike, partisë së lindur me sloganin :“Ta bëjmë Shqipërinë si gjithë Europa!”, partisë që i kontribuoi këtij vendi me firmosjen e marrëveshjes së stabilizim asociimit, me dorëzimin e aplikimit për anëtarësim në Bashkimin Europian, me marrjen e rekomandimit pozitiv për statusin kandidat; si partia që bëri të mundur lëvizjen e shqiptarëve pa viza në zonën Shengen, nuk mund të mos shpreh vlerësimin më të madh për kontributin që kanë dhënë burrat dhe gratë, demokratë dhe demokrate, Partia Demokratike bashkë me gjithë shqiptarët në këtë proces. Reformat e thella që ne ndërmorëm hodhën gurët e themelit dhe ndërtuan konturet e këtij procesi përmes asociimit të Shqipërisë dhe përmbushjes së gjithë detyrimeve për marrjen e statusit kandidat. Natyrisht vlerësoj kontributin e gjithë kujt tjetër në këtë proces. Rruga që kemi përpara është e vështirë. Sfida të mëdha dhe të menjëhershme na presin, mbi të gjitha zgjedhjet e ardhshme dhe prerja e lidhjes së politikës me krimin, e cila ka rezultuar në një dëm të pallogaritshëm për të sotmen dhe të nesërmen e Shqipërisë, me formën e saj më akute, kanabizimin e vendit. Partia Demokratike dhe unë jemi të vendosur të jemi në krye të këtyre përpjekjeve. Personalisht zotohem se do të bëj çdo gjë që politika të kthehet në një instrument që i shërben aspiratave të qytetarëve dhe mbi të gjitha të aspiratës së tyre europiane. Kjo rrugë e vështirë do të kaloj doemos përmes disa sfidave me të cilat për fat të keq kryeministri sot refuzoi të përballet. Sfida numër një mbetet ajo e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme. Sfidë po kaq e madhe, siç u shprehën qartë komisioneri Hahn, që dëshiroj ta falënderoj bashkë me ekipin e tij dhe përfaqësuesja e Bashkimit Europian në konferencën me Kryeministrin, mbetet lufta kundër krimit, lufta kundër korrupsionit, fusha në të cilat Shqipëria nuk ka bërë përpara. Ndaj dua të siguroj qytetarët shqiptarë se PD, partia e interesit kombëtar, partia e integrimit europian të vendit do të jetë po kështu partia që do të hapë negociatat me Bashkimin Europian, do të nisë këtë proces kulmues për ëndrrën tonë europiane. Dhe përmes bashkimit të të gjithë shqiptarëve që duan një qeveri të kontrolluar nga qytetarët dhe jo nga krimi, që duan një qeveri të pastruar nga korrupsioni, çka mund të kaloj vetëm përmes një drejtësie vërtetë të pavarur dhe jo të kapur nga qeveria, ne do t’ia dalim.

Ndaje me miqte