Histori: Dy samite të paprecedenta përpara atij TrumpKim
ATSH
11 Mars 2018
UASHINGTON, 9 mars /ATSH-AFP/ - Amerikani Riçard Nikson njoftoi më 15 korrik 1971 se do të shkojë në Kinë vitin tjetër, egjiptiani Anvar Sadat i gatshëm që më 9 nëntor 1977 të shkojë në Jeruzalem. Dy deklarata surprizë për vizita historike mes armiqsh, të krahasueshme me atë të sotme për një takim të ardhshëm mes Trump dhe Kim Jong Un.
Nikson në Kinë
Në mes të luftës së ftohtë, më 15 korrik 1971, presidenti amerikan Riçard Nikson habiti gjithë botën duke njoftuar, gjatë një deklarate të shkurtër në televizion, se pret një ftesë nga kryeministri Zhou Enlai për të vajtur në Kinën popullore para muajit maj të vitit të ardhshëm.
“Nuk mund të ketë paqe të qëndrueshme dhe të gjatë pa pjesëmarrjen e Republikës popullore të Kinës dhe të 750 milionë banorëve të saj. Do të ndërmarr këtë udhëtim (-) sepse mendoj që është një udhëtim për paqen”, deklaronte kreu i Shtëpisë së Bardhë.
Nikson tregoi se paraprijëse e kësaj bombe diplomatike kishte qenë një vizitë sekrete në Kinë, javën e kaluar, e këshilltarit të tij për Punët e Jashtme Henri Kisinger, ndërkohë që të gjithë mendonin se kishte qëndruar në Pakistan për shkak të problemeve shëndetësore.
Ndërsa në prill, ndeshja e ping-pongut në Pekin mes ekipit amerikan dhe atij kinez shërbeu për të filluar një diplomaci të ping-pongut, në një kohë kur SHBA-ja njihte Tajvanin, një provincë rebele për Kinën.
Më në fund më 21 shkurt 1972 ai mbërrin në Pekin për t’u takuar me kryeministrin kinez. Por takimi i tyre do të shtyhet me disa orë- për shkak të një takimi surprizë mes Nikson dhe liderin kinez, Mao Ce Dung.
Kjo vizitë e parë e një presidenti amerikan në Kinë i hapi rrugën rivendosjes së marrëdhënieve diplomatike mes dy vendeve në vitin 1979, ku Uashingtoni angazhohej se nuk do të zhvillonte më marrëdhënie zyrtare me Tajvanin.
Sadati në Jeruzalem
Më 9 nëntor 1977, presidenti egjiptian Anvar Sadat njoftoi, duke shkaktuar habi tek të gjithë, qëllimin e tij për të vajtur në Izrael.
“Jam gati që të shkoj tek ata, në ‘Knesset’ (Parlamenti Izraelit) për të diskutuar (-) Jam gati të shkojë deri në fund të botës nëse kjo mund të evitojë që një prej ushtarëve të mi apo oficerëve të mos plagoset”, deklaroi ai në një fjalim të mbajtur para parlamentit, katë vite pas luftës arabo-izraelite të tetorit 1973.
Vetëm gjashtë ditë më vonë, në një letër që i drejtohej “i dashur president Sadat”, nga kryeministri izraelit, Menahem Begin, në pushtet prej disa muajsh fton zyrtarisht presidentin egjiptian të vijë në Jeruzalem.
Më 19 nëntor, presidenti Sadat është kreu i parë i një shteti arab që merr rrezikun politik që të shkojë në Izrael që prej krijimit të këtij shteti në vitin 1948 dhe pas katër luftërash arabo-izraelite. Ai do të mbërrijë në Jeruzalem për një vizitë 43 orëshe, duke i shtrenguar dorën armiqve të tij të betuar. Ai u takua me disa herë me shefin e qeverisë dhe do të mbajë një fjalim në Knesset me deputetët izraelitë.
Ky udhëtim historik do t’i hapë rrugën marrëveshjeve të “Camp David” në shtator 1978, që do të përfundojnë më 26 mars 1979 me nënshkrimin, nën drejtimin e SHBA-së, të traktatit të paqes egjiptiano-izraelite, e para e arritur ndonjëherë mes Izraelit dhe një shteti fqinj.
Kjo marrëveshje do t’i japë fund më shumë se 31 vite gjendje lufte mes Izraelit dhe Egjiptit që do të gjendet i izoluar në botën arabe. Shumë i kritikuar ne vendin e tij, Anvar Sadat do të vritet në tetor 1981 nga islamikë radikalë./ G.S/
Nga Andrea Graells Tempel dhe Florence De Marignan
Ndaje me miqte