Holandë liberali Rutte fiton zgjedhjet me diferencë të dukshme nga populistët
Tribuna
16 Mars 2017
Kryeministri holandez, Mark Rutte doli fituesi i pastër i zgjedhjeve parlamentare dhe me të gjitha gjasat do të kryesojë bisedimet për formimin e qeverisë së tretë radhazi të koalicionit që nga viti 2010.
Me 95 për qind të votave të numëruara, Partia për Lirinë dhe Demokracinë (VVD) ka marrë 33 vende për Dhomën e Ulët të parlamentit me 150 deputetë, me diferencë të dukshme nga populistët e Geert Wildersit, Partia për Lirinë (PVV) e të cilit ka marrë 20 vende.
Ndërkohë, në vend të tretë me nga 19 deputetë janë kristiandemokratët (CDA) dhe centristët e D66-ës.
“Pas Brexit dhe pas zgjedhjeve në SHBA, rruga e gabuar e populizmit u ndërpre”, deklaroi Rutte për mbështetësit e tij.
Partia Laburiste holandeze (PvdA) nën drejtimin e Lodewijk Asscher pësoi një humbje të madhe duke marrë vetëm nëntë deputetë.
Partia DENK, e formuar nga Tunahan Kuzu dhe Selçuk Ozturk, të cilët i largoi partia PvdA pasi nuk kishin dhënë votëbesimin për politikat integruese të saj, ka mundur të marrë tre deputetë.
Në këtë situatë asnjë parti nuk mund të formojë e vetme qeverinë pasi asnjëra prej tyre nuk kanë arritur shumicën e nevojshme për formimin e qeverisë.
Pritet një koalicion me katër parti.
Ndaje me miqte