0030 210 33 18 483

I ftohti në Greqi shkakton tre të vdekur

TRIBUNA 09 Janar 2017

Vala e të ftohtit që ka pushtuar edhe Greqinë, ka lënë pas deri tani tre të vdekur. Në Karpenisi, një 58 vjeçar, vdiq ndërsa po punonte me borëpastruesen e bashkisë në aksion rrugor të zonës. Në Nafpaktia, një 77 vjeçar që kishte humbur dhe u gjet i gjallë, ndërroi jetë pak më vonë, për shkak të hipotermisë. Viktima e tretë është një grua e moshuar në Komotini, që kishte ndezur mangallin me qymyr për t’u ngrohur. Temperatura më e ulët është regjistruar në Follorinë, - 23 gradë celsius. E hëna ka nisur sërish me reshje dëbore në shumë zona të vendit. Që nga Maqedonia e Traka, deri në ishujt e Egjeut Lindor; reshje dëbore priten madje edhe në Atikë. Ndërkohë, një valë tjetër moti të keq, me shtrëngata shiu, parashikohet për zonat fushore dhe ishullin e Kretës. Banorët e ishujve Alonisos dhe Skopelos raportohet se po kalojnë që prej tri ditësh momente dramatike, ngase lartësia e dëborës është më shumë se 1 metër. Në të dy këta ishuj është shpallur gjendja e emergjencës civile. Nga dhe drejt ishujve nuk punon asnjë nga linjat e tragetit. Përtej problemeve në ndërlidhjen telefonike dhe energjinë elektrike, vështirësi ka edhe për furnizimin me ujë, për shkak të ndërprerjes së rrymës. Në gjendje emergjenca është shpallur edhe zona e Kimit, në Evia, për shkak të problemeve që kanë krijuar reshjet e dendura të dëborës, lartësia e të cilës raportohet të jetë më shumë se 1,5 metra. Në Atikë, paraditen e të hënës qëndronin të mbyllura rrugët drejt Parnithas: nga teleferiku e lart, si dhe rruga Filis, nga manastiri Kleiston në drejtim të Dervenohorit. Ndalohet qarkullimi i mjeteve të rënda në rrugën e vjetër nacionale Elefsina-Thiva, ndërsa mjetet e tjera duhet të përdorin zinxhirë. Gjithashtu me zinxhirë bëhet kalimi nga Ipokratio Politia (midis Afnides dhe Malakasas).

Ndaje me miqte