0030 210 33 18 483

I jepet lamtumira e fundit themeluesit të televizionit ANT1 Mino Kyriakou

Tribuna 04 Korrik 2017

Përfaqësues të politikës greke kanë marrë pjesë në meshën për t’i dhënë lamtumirën e fundit biznesmenit Minos Kyriakou, themelues dhe president i televizionit Ant1. Me tyre, presidenti i Republikës Helenike Prokopis Pavlopulos, kryetari i Demokracisë së Re Kariakos Mitsotakis, kryetarja e PASOK-ut Fofi Genimata, ish kryeministrat Antonis Samaras dhe Kostas Karamanlis, ish kryetari i PASOK-ut, Evangelos Venizelos, deputetë, biznesmenë, gazetarë dhe e gjithë “familja” e televizionit Ant1, asistuan në meshën që u krye në kishën Agia Marina në Ekali. Minos Kyriaku vdiq të dielën, në moshën 75 vjeç, nga një atak në zemër. 24 orë para vdekjes, ishte kryer ceremonia e martesës së djalit të tij, Theodori. Minos Kyriaku ishte një nga biznesmenët me emër më të shquar në Greqi. Që në moshë të re ai u muar me biznesin e anijeve dhe u shndërrua në një nga emrat më të fuqishëm të këtij sektori lider të ekonomisë greke. Në fundin e viteve 1980, u aktivizua në sektorin e mediave, fillimisht duke themeluar radion Ant1 97,2 FM (sot “Easy 97,2”. Një vit më vonë, në 1989 inauguroi televizionin ANT1, që shumë shpejt u bë një nga mediat dominuese në vend. Kyriaku kishte pasion edhe sportin. Në periudhën 2004-1009 ishte president i Komitetit Olimpik Grek, si dhe i klubit “Panelinios”. Në dhjetor 2004 ai ishte martuar me aktoren Mari Konstandatu, me të cilën u divorcua sivjet. Nga martesa e mëparshme, Kyriaku kishte dy djem dhe një vajzë.

Ndaje me miqte