Ilir Meta: &ldquoRama marrëdhënie të vështira me të gjithë edhe me Greqinë&rdquo. Ja çfarë transmetoi TV grek
Tribuna
17 Qershor 2017
Televizioni grek Star, ka transmetuar të premten një reportazh të shkurtër për zgjedhjet e 25 qershorit në Shqipëri. Reportazhi përmban edhe dy ndërhyrje të kryetarit të LSI, Ilir Meta, që është intervistuar ekskluzivisht nga televizioni Star, dhe e që e prezanton Metën si president të Shqipërisë.
Duke prezantuar reportazhin, moderatorja thotë se në Shqipëri ka filluar numërimi mbrapsht për zgjedhjet kritike të 25 qershorit, që do të vendosin për stabilitetin e vendit. Presidenti Ilir Meta, ka dhënë një intervistë ekskluzive për TV Star, ku zgjat dorën e miqësisë ndaj Greqisë.
Gazetarja, duke pasur në sfond mitingun e pardjeshëm të LSI-së, thotë: “Kryeministri socialist Edi Rama, kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha dhe presidenti i porsazgjedhur Ilir Meta, janë tre lojtarët që po luajnë një ndeshje të fortë parazgjedhore për t’u ulur në kolltukun e kryeministrit.
Ilir Meta foli për TV Star dhe premtoi marrëdhënie më të mira ndërmjet Shqipërisë dhe Greqisë.
Presidenti i Republikës së Shqipërisë, kishte më përpara marrëdhënie të mira me kryeministrin, por tani janë armiq.
“Në radhë të parë duhet të kemi parasysh që për fat të keq z. Rama ka marrëdhënie të vështira me të gjithë dhe të paqëndrueshme, përfshirë dhe Greqinë, por jo vetëm Greqinë, por dhe fqinjë të tjerë”, thotë Meta për Tv Star.
Akset kryesore për politikën e Ilir Metës janë stabiliteti në Shqipëri dhe perspektiva europiane, marrëdhëniet e fqinjësisë së mirë me vendet e tjera të rajonit dhe veçanërisht me Greqinë.
“Marrëdhëniet me Greqinë nuk janë thjesht marrëdhënie si me të gjithë fqinjët e tjerë, janë marrëdhënie tepër jetike sepse janë marrëdhënie tashmë dhe njerëzore.
Ne kemi me mijëra familje të përbashkëta greko-shqiptare të krijuara në këto 27 vjet, ku fëmijët një motër mund të deklarohet greke, vëllai mund të deklarohet shqiptar. Eshtë një lidhje kaq e fortë dhe kaq e fuqishme njerëzore sa çdo tentativë për të instrumentalizuar këto marrëdhënie në kurriz të miqësisë, të bashkëpunimit është jo vetëm diletante, por edhe asgjësuese për çdo politikan”, thotë Meta.
Më tej, gazetarja thotë se minoriteti grek ka denoncuar se po bëhen makinacione kundër tij, në kuadër të zgjedhjeve.
Para kamerës së Tv Star, kandidati për deputet i LSI, Vangjel Tavo thotë se “ka një klimë tensioni dhe presioni ndaj njerëzve. Përpiqen që të përdorin edhe policinë me qëllim që t’u marrin votat dhe t’i bëjnë të votojnë për partinë socialiste”, përfundon reportazhi i TV grek, Star.
Ndaje me miqte