Ilir Meta intervistë ekskluzive: &ldquoPse jam optimist për çertifikatat patentat të drejtën e votës emigrantëve...&rdquo
Robert GORO
12 Tetor 2016
Kryetari i Kuvendit të Shqipërisë, Ilir Meta, është shprehur optimist për një nivel më të mirë në marrëdhëniet me Greqinë, pavarësisht problemeve që shpesh shkaktojnë tensionime. Edhe pse këto tensionime është dëshmuar se influencojnë në jetën e përditshme të emigrantëve shqiptarë në Greqi, Meta veçon angazhimin personal të kryeministrit Aleksis Tsipras për zgjidhjen e shumë prej problemeve.
Në gjithë takimet me palën greke, Ilir Meta ka shfaqur vizionin e tij për ardhmërinë e marrëdhënieve, që e analizon edhe në këtë intervistë ekskluzive për Tribuna-News dhe televizionin ABC NEWS.
“Eshtë e rëndësishme t’i trajtojmë këto çështje gjithmonë me qëllimin e mirë për t’i zgjidhur në atë mënyrë që të ndihmojmë edhe kovergimin e interesave afatgjata dhe strategjike të dy vendeve dhe të dy popujve tanë”, thotë Meta, duke theksuar me nënkuptim se “një plagë edhe kur e përkëdhel, të lëndon dhe të dhemb”...
E gjithë intervista që Ilir Meta i dha Tribunës, në përfundim të vizitës së tij në Athinë ka si më poshtë:
Robert GORO: Ju sapo keni përfunduar takimin me kryeministrin grek, zotin Tsipras. A ishte ky një takim thjesht protokollar, apo pati edhe një përmbajtje me esenciale?
ILIR META: Mendoj që ishte një takim mjaft pozitv. Për mua ishte hera e parë që takohesa me zotin Tsipras dhe kam përshtypje jashtëzakonisht pozitive për sa i takon predispozicionit të tij për marrëdhënie sa më të ngushta dhe sa më shembullore me Shqipërinë. Por në mënyrë të veçantë më ka bërë përshtypje ndjeshmëria e tij për të drejtat e emigrantëve në Greqi, por edhe vullneti i tij për t’u angazhuar edhe personalisht me ministritë përkatëse për të zgjidhur disa probleme dhe disa vështirësi praktike me të cilat ndeshen emigrantët tanë këtu: çështja e çertifikatave, e vulës apostile, patentat, etj.
Dhe njëkohësisht, vullneti dhe dëshira për të mbështetur rrugëtimin e mëtejshëm europian të Shqipërisë dhe dëshira për t’u përqendruar në të gjitha fushat e bashkëpunimit dhe për të trajtuar me qetësi edhe çështje të cilat mbarten nga e kaluara, po kurrsesi duke i vendosur ato si pengesë në bashkëpunimin midis Greqisë dhe Shqipërisë.
Robert GORO: Ju keni mbërritur në Athinë në një moment që atmosfera ishte disi e tensionuar, për shkak të reagimeve greke ndaj deklaratve të komisionerit Johhanes Hahn për çështjen çame. Reagime që i drejtoheshin jo vetëm Brukselit, por edhe Tiranës. Gjatë takimeve që zhviilluat këto ditë, a konstatuat shenja në drejtim të përmirësimit të klimës në marrëdhëniet dypalëshe?
ILIR META: Unë besoj se marrëdhëniet midis Shqipërisë dhe Greqisë, midis grekëve dhe shqiptarëve janë marrëdhënie të pandërprera dhe tani që ne flasim këto janë marrëdhënie të gjithanshme, sepse në radhë të parë janë marrëdhënie njerëzore. Para se të jenë politike dhe institucionale. Janë marrëdhënie familjare; janë me mijra famije të përbashkëta që janë krijuar gjatë këtyre 26 viteve, në Greqi dhe në Shqipëri. Janë marrëdhënie ekonomike dhe tregtare, kështu që këto marrëdhënie asnjëherë nuk mund të reduktohen apo të bllokohen për shkak të një apo disa pështjeve të trashëguara nga e kaluara.
Unë edhe në takimin me kryeministrin Tsipras, e vlerësova se përveç bashkëjetesës historike të dy popujve tanë, e cila në fakt është ajo që prevalon në histori, kemi edhe disa plagë. Dhe kuptohet këtu që çështja e shqiptarëve të larguar me forcë nga Greqia, apo çështja çame siç e vlerësojmë ne, është plaga më e thellë dhe më e vështirë në këto marrëdhënie. Dhe më duhet të pohoj edhe njëherë tjetër që një plagë edhe kur e përkëdhel, të lëndon dhe të dhemb. Ndaj është e rëndësishme t’i trajtojmë këto çështje gjithmonë me qëllimin e mirë për t’i zgjidhur në atë mënyrë që të ndihmojmë edhe kovergimin e interesave afatgjata dhe strategjike të dy vendeve dhe të dy popujve tanë. Dhe kjo sigurisht që kërkon edhe durim, kërkon edhe qetësi, kërkon edhe kujdes, dhe natyrisht, kërkon edhe një trajtim më kompleks të gjithë këtyre çështjeve të trashëguara. Ajo që është e rëndësishme dhe që nuk duhet ta harrojmë në asnjë moment, është se interesat janë të gjithanshme, bashkëpunimi është i gjithanshën; ka ende shumë potencial të pashfrytëzuar në marrëdhëniet greko-shqiptare. Për të rritur më tej përfitimet nga ky bashkëpunim, për të dy vendet, për të dy popujt tanë, për qytetarët shqiptarë dhe ata grekë. Dhe në këtë drejtim unë do të thoshja që ky është mesazhi kryesor edhe i kësaj vizite, edhe i takimeve...
Robert GORO: Më falni, ky është mesazhi në interpretimin tuaj, apo edhe mesazhi në interpretimin e palës greke që keni arritur ju ta kuptoni. Sepse pala greke p.sh., edhe para dy ditësh ka thënë që ka një vijë të kuqe me Shqipërinë dhe kjo është çështja çame. Nuk dua të insistoj vetëm te kjo çështje, mirëpo me ekzistencën e vijave të kuqe, a hapet rruga për ato pritshmëritë tuaja që thatë gjatë këtyre ditëve, për marrëdhënie vëllazërore midis të dy vendeve?
ILIR META: Pa asnjë diskutim që kjo rrugë do të hapet, me vullnet të përbashkët. Unë nuk mund të përgjigjem për deklarata të caktuara të bëra në një kohë të caktuar, të cilat mund të reflektojnë edhe një tension që krijohet në njerin apo në tjetrin vend, për shkak të rrethaneve të ndryshme. Mos të harrojmë se politika këtu në Greqi ka një dinamikë të jashtëzakonshme, ballkanike dhe mesdhetare, siç e ka dhe në vendin tonë, edhe në vende të tjera të këtij rajoni. Por unë besoj se ka një ndërgjegjësim, ka një mirëkuptim për të ecur drejt tejkalimit të disa pengesave që vijnë nga e kaluara, për të ecur drejt tejkalimit të akteve të së kaluarës, të cilat e bëjnë të vështirë, qofte edhe psikologjikisht, por edhe konkretisht, zgjidhjen e çështjeve të cilat të dy palët i shohin në mënyra të ndryshme sot dhe duket ende sikur janë larg. Kështu është fjala vjen, edhe çështja çame, që unë e bëra të qartë edhe pas takimit të parë që pata me ministrin e jashtëm që është një çështje për të cilën për momentin ndajmë dy qasje të ndryshme, por kjo nuk do të thotë kurrsesi që është tensionimi i marrëdhënieve ajo që ndihmon për zgjidhjen e kësaj çështjeje. Përkundrazi! Unë jam i bindur që vetëm përmirësimi i gjithanshëm i këtyre marrëdhënieve do të krijojë ambientin, mundësinë e favorshme për të gjetur një zgjidhje, për shërimin e kësaj plage dhe të plagëve të tjera të së kaluarës.
Robert GORO: Ju në takimet që keni patur me palën greke keni ngritur disa çështje që janë shumë shqetësuese -dhe që kanë një impakt të rëndësishëm në jetën e përditshme të qytetarëve shqiptarë në Greqi-, siç është vula apostile, njohja e patentave shqiptare, por edhe arritja e një marrëveshjeje për sigurimet shoqërore. Do të doja të dija, përtej fjalëve të përgjithshme apo angazhimeve -në thonjëza apo jashtë thonjëzave- të palës greke, a pati ndonjë angazhim konkret për t’u vënë qoftë dhe njera fillimisht në rrugën e zgjidhjes?
ILIR META: Po. Unë besoj se disa prej këtyre çështjeve do të vihen në rrugën e zgjidhjes. Mund t’ju them që kryeministri Tsipras dëgjoi me mjaft vëmendje kërkesën që unë i bëra për të krijuar disa lehtësi të tjera, më praktike për emigrantët tanë, që kanë të bëjnë me njohjen e çertifikatave këtu, pra të dokumentave zyrtarë me vukën Apostile, me njohjen e lejeve të drejtimit të automjeteve. Natyrisht, edhe çështja e sigurimeve shoqërore është një çështje që është diskutuar pothuajse në të gjitha këto takime dhe ne shpresojmë që të paktën për disa prej tyre të ketë një angazhim të shpejtë, konkret dhe praktik; ndërkohë që ky është një dialog që vazhdon midis të dy vendeve, midis dy qeverive dhe do të vazhdojë midis dy parlamenteve tona.
Robert GORO: Duhet të them që vizita juaj këtu ishte e para e një zyrtari të rangut të lartë shqiptar të paktën prej dhjetë vitesh; në mos gaboj, e fundit ka qenë vizita e presidentit në 2007-n. Ju erdhët i shpoqëruar dhe nga një delegacion, le ta them kështu, gjithëpërfshirës parlamentar. Ne e dimë shumë mirë që shumë prej problemeve që kanë emigrantët shqiptarë sot në Greqi, janë edhe si pasojë e tensioneve politike që ekzistojnë ndërmjet të dy vendeve. Aktivizimi i institucionit të parlamentit, a mendoni se mund të përshpejtojë zgjidhjen e problemeve? Dhe në këtë sens, a do të ketë një kthim vizite të të njëjtit format, nga homologu juaj grek?
ILIR META: Unë besoj se në fillim të vitit të ardhshëm do të kemi vizitën zyrtare të homologut grek, kryetarit të parlamentit, zotit Voutsis. Padyshim që kjo vizitë këtu në Athinë bëhet pak me vonesë. Por ka qenë si të thuash edhe një mirëkuptim i imi, që kjo vizitë të ndodhë në një moment kur dhe parlamenti edhe autoritetet të kishin mundësinë që të përqendroheshin më shumë në marrëdhëniet me Shqipërinë, pasi dihet që problemet e brendshme kanë qenë një prioritet i politikës greke dhe i vetë parlamentit. Kështu që jemi në një moment do të thoshja shumë pozitiv, kur parlamenti mund të marrë një rol më të madh se sa deri tani, për të krijuar një klimë shumë më konstruktive të bashkëpunimit, por edhe të mbështetjes për të dyja qeveritë, pasi janë disa çështje të cilat kërkojnë një konsensus, kërkojnë një mirëkuptim kombëtar edhe në Greqi, edhe në Shqipëri. Dhe ky ka qenë edhe qëllimi i gjithë takimeve, jo vetëm me përfaqësuesit e qeverisë dhe të mazhorancës këtu, por edhe pothuajse me të gjitha grupet parlamentare të opozitës, si me Demokracinë e Re, PASOK-DIMAR apo dhe partinë Komuniste, në mënyrë që të kërkojmë edhe angazhimin e tyre, edhe përfshirjen e tyre për një promovim të axhendës pozitive shqiptaro-greke në interes të dy vendeve tona. Dhe njëkohësisht kemi bërë një lutje që çështje të cilat janë delikate në këto marrëdhënie, të mos përdoren ndaj qeverisë apo ndaj mazhorancës, pasi në rast se vazhdohet në këtë mënyrë, edhe në Greqi edhe në Shqipëri, ende do të kemi probleme të pazgjidhura, për shkak të fushatave elektorale që nuk mbarojnë asnjëherë. Pra, duhet një konsensus, më i përgjithshëm.
Robert GORO: Meqë përmendët fushatat elektorale: Ju që në muajt e parë, do të thoja, të jetës së LSI-së, keni qenë një nga partizanët më të flakët në mos më i flakti, për dhënien e të drejtës së votës emigrantëve në vendet ku ata jetojnë. Ndërkohë, ky është mandati i dytë që ju ndodheni në pushtet, edhe kjo e drejtë ende nuk iu është dhënë emigrantëve. Cila është pengesa?
ILIR META: Mendoj se jemi në momentin e bërjes së reformës zgjedhore; pengesat e deritanishme kanë qenë të karakterit praktik, pra të garancisë së realizimit pa vështirësi dhe pa kontestime të këtij procesi. Të gjitha forcat politike janë shprehur “pro” në parim; padyshim edhe forca politike që unë përfaqësoj e ka patur dhe e ka prioritare. Por dihet që kodi zgjedhor gjithmonë është bërë dhe bëhet me konsensus dhe natyrisht kjo çështje kërkon dhe një mirëkuptim më të gjerë - pse ju e dini që për fat të keq ende ekziston një mosbesim i thellë, ku fatkeqësisht vihet në pikëpyetje legjitimiteti dhe rregullsia e procesit edhe në Shqipëri, e jo më jashtë vendit. Kështu që shpresojmë edhe në këtë drejtim të kemi një mirëkuptim një konsensus që të garantojmë përfundimisht në praktikë, edhe të drejtën e votës së emigrantëve atje ku jetojnë.
Ndaje me miqte