0030 210 33 18 483

Ilir Meta takohet me përfaqësues të emigrantëve në Greqi

11 Tetor 2016

Kryetari i parlamentit, Ilir Meta, gjatë vizitës zyrtare në Greqi, u takua në ambientet e ambasadës shqiptare në Athinë me përfaqësues të komunitetit shqiptar atje. Gjatë bashkëbisedimit, Meta i siguroi ata për vëmendjen maksimale të Kuvendit te Shqipërisë në adresimin e nevojave të tyre, veçanërisht në lehtësimin e procedurave konsullore. “Gjatë kësaj vizite do përpiqemi të ngremë disa nga çështjet të pazgjidhura të cilat krijojnë më shumë lehtësi për emigrantët tanë këtu, përpos problemeve konsullore, dokumenteve tona konsullore, problemeve të vulës apostile, problemeve të njohjes së patentave, por edhe problemi i njohjes së pensioneve, që është një çështje akoma më komplekse. Janë të gjitha çështje që do të ngrihen në vazhdimësi nga ana jonë, sepse kanë të bëjnë me mjaft probleme konkrete të emigracionit dhe emigrantëve këtu”, u shpreh kreu i Kuvendit. Meta falenderoi emigrantët për kontributin e pamohueshëm që kanë dhënë në Shqipëri, ndërsa i ka cilësuar një faktor i rëndësishëm në fuqizimin e marrëdhënieve mes Greqisë dhe Shqipërisë. “Emigrantët tanë në Greqi janë një faktor mjaft i rëndësishëm njerëzor në radhë të parë, por edhe ekonomik e shoqëror, që kanë ndikuar për përafrimin e marrëdhënieve por edhe për fuqizimin e mëtejshëm të tyre pasi niveli i integrimit është mjaft kompleks dhe domethënës. Ne të gjithë e dimë se falë këtij emigracioni në fillim të viteve ‘90-të, Shqipëria pati mundësinë që të përballojë vështirësi të jashtëzakonshme dhe njëkohësisht e dimë shumë mirë se në këto vite të krizës që kaloi Greqia, impakti edhe në Shqipëri ka qenë mjaft i ndjeshëm”, nënvizoi Meta, ndërsa shprehu kënaqësinë për një qasje më pozitive ndaj emigrantëve nga qeveria aktuale. Kryeparlamentari theksoi se Greqia është një partnere shumë e rëndësishme për arsye të historisë dhe lidhjeve njerëzore, si edhe pranisë së madhe të emigrantëve shqiptarë në vendin fqinj, por dhe prezencës së minoritetit grek në vendin tonë. “Në këtë drejtim interesat janë shumë të mëdha, përveçse jemi dy vende anëtare të NATO-s, ne jemi dhe një vend që synon të anëtarësohet në BE dhe shpresojmë që Greqia edhe në të ardhmen të vazhdojë të na mbështesë në këtë drejtim”, vijoi Meta, teksa u ndal edhe në çështjet e së kaluarës mes dy vendeve, që sipas tij duhet të zgjidhen me frymë konstruktive. “Natyrisht ka edhe çështje që i takojnë të kaluarës, që janë të mbartura dhe është e nevojshme të zgjidhen, por është e rëndësishme që këto çështje të ngrihen në një frymë konstruktive, që të mos mungojë zhvillimi i gjithanshëm i marrëdhënieve dhe interesave mes dy vendeve tona, dhe besoj që në këtë drejtim, po ecet dhe do të ecet akoma edhe më mirë”, shtoi kryetari i Kuvendit. Duke u ndalur te zhvillimet në Shqipëri, Meta foli për reformën në drejtësi, që ka të bëjë me forcimin e shtetit ligjor dhe përmirësimin e funksionimit të institucioneve. “Çështja kryesore ka qenë reforma në drejtësi, që ka të bëjë përveçse me forcimin e shtetit ligjor, me luftën kundër krimit, kundër korrupsionit edhe me përmirësimin e funksionimit të institucioneve, të një klime më të mirë të biznesit, rritjes së investimeve vendase dhe të huaja, por njëkohësisht ka të bëjë edhe me integrimin evropian të Shqipërisë”, theksoi Meta, duke shprehur besimin për një përgjigje pozitive nga KE në lidhje me hapjen e negociatave për anëtarësim, brenda një kohe të shpejtë. “Ne arritëm me konsensus të miratojmë paketën e ndryshimeve Kushtetuese për reformën në drejtësi. Tani po miratojmë ligjet kryesore për zbatimin e saj. Ne shpresojmë që në nëntor të marrim një rekomandim pozitiv, nga KE për hapjen e negociatave për anëtarësim dhe më pas shpresojmë edhe nga Këshilli i vendeve anëtare në dhjetor. Integrimi evropian është një instrument dhe nxitje për transformimin e shoqërisë sonë, nuk është një qëllim në vetvete, deklaroi ndër të tjera Kryetari i Kuvendit. Më tej, gjatë takimit, emigrantet shqiptare diskutuan me delegacionin parlamentar për problemet që ata hasin në jetën e përditshme në vendin fqinj, si edhe me përmirësimin e shërbimeve konsullore. Në këtë takim, Meta shoqërohej nga deputetët Arta Dade, Anastas Angjeli, Eduard Shalsi, Fatmir Toçi, Vangjel Tavo, Gjergji Papa, si dhe kryetari i PBDNJ-së, Vangjel Dule.

Ndaje me miqte