Ilir Meta zgjidhet President i Republikës
ATSH
28 Prill 2017
Ilir Meta u zgjodh të premten President i Republikës së Shqipërisë me 87 vota pro dhe 2 kundër.
Kuvendi i Shqipërisë, i mbledhur në një seancë të jashtëzakonshme pasditen e kësaj të premteje, ka votuar për kandidaturën e Ilir Metës si presidentit të ri të Republikës.
Gjithsej kanë votuar 89 deputetë, ndërkohë që për zgjedhjen e kreut të shtetit në këtë raund të katërt nevojiten 71 vota pro.
Për kandidaturën e Metës kishin hedhur firmat 23 deputetë. Në tre raundet e tjera nuk u paraqit asnjë kandidat.
Komisioni i Ligjeve bëri verifikimet formale për Ilir Metën, sa i takon pastërtisë së figurës së tij dhe detyrimeve kushtetuese, konkretisht ligjit të dekriminalizimit dhe kritereve që përcakton Kushtetuta për kreun e shtetit.
Pas shqyrtimit të dosjes së kandidatit, komisioni votoi unanimisht kandidaturën e Metës, duke e cilësuar kreun aktual të Kuvendit një figurë në përputhje me bazën ligjore. Relacioni zyrtar i dalë nga komisioni i ligjeve iu dërgua më pas sallës së Parlamentit, për t’u hedhur në votim nga deputetët.
“Kandidatura e Metës plotëson kriteret kushtetuese. Kuvendi i Shqipërisë duhet të vijojë me raundin e katërt me kandidaturën e tij”, tha Hysi.
Meta është kandidati i dakordësuar midis dy forcave më të mëdha të koalicionit qeverisës një ditë më parë në grupet parlamentare përkatëse.
Ilir Meta do të mbajë postin e Presidentit të Republikës për periudhën 2017-2022.
Ndaje me miqte