Interes i lartë për zgjedhjet në Shqipëri
ATSH
23 Qershor 2017
Zgjedhjet parlamentare të 25 qershorit në Shqipëri kanë ngjallur interes të lartë dhe ato do të monitorohen nga një numër i madh vëzhguesish, vendas dhe ndërkombëtarë, të cilët do ta ndjekin nga afër procesin ditën e votimeve dhe pas tij.
Deri tani numërohen në total mbi 5500 vëzhgues, afatshkurtër dhe afatgjatë, të akredituar nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve(KQZ) për monitorimin e procesit të votimit dhe më pas, atë të numërimit të votave.
Përfaqësues të misionit të ODIHR, stafe të ambasadave të vendeve të Bashkimit Europian dhe të SHBA-së në Tiranë, të Këshillit të Europës, të mediave prestigjioze ndërkombëtare etj, do të ndjekin nga afër procesin, sidomos në dy momente të tij, gjatë votimit dhe numërimit të votave.
Të shumtë në numër janë dhe vëzhguesit vendas, që i përkasin kryesisht organizatave të specializuara në fushën e zgjedhjeve, atyre nga shoqëria civile, të angazhuara në problematikat e mirëqeverisjes dhe demokratizimit, etj.
Kukan, në Tiranë si kreu i misionit mbikqyrjes së BE-së në zgjedhjet
Eurodeputeti Eduard Kukan deklaroi sot se është zgjuar në Tiranë, duke shtuar se i pëlqen Shqipëria, madje shkon më tej, kur thotë se ndihem si në shtëpi, por kësaj radhe ka mbërritur si kreu i misionit mbikqyrjes së BE-së në zgjedhjet parlamentare të së dielës.
Në një postim në Facebook, Eurodeputeti Eduard Kukan shprehet ,“U zgjova sot në mëngjes në Tiranë. Më pëlqen Shqipëria, është një vend interesant dhe i bukur. Unë kam qenë me të për vite, dhe kjo më bën të ndihem si në shtëpi”.
Kukan thekson se “Që nga sot, unë jam kreu i misionit të mbikqyrjes së BE-së në zgjedhjet parlamentare që do të jenë këtë të dielën”.
“Këto zgjedhje janë të rëndësishme për drejtimin e ardhshëm të vendit, vazhdimin e reformave dhe integrimit me be-në. Shqipëria është partneri ynë në nato dhe një kandidat për anëtarësimin në be. Unë kam takime sot me krerët politikë të partive të ndryshme. Të dielën, së bashku me kolegët e mij nga parlamenti europian, ne do të ndjekim zgjedhjet anembanë vendit”.
Ndaje me miqte