0030 210 33 18 483

Intervista Ministri i jashtëm i Kosovës Enver Hoxhaj: &ldquoMarrëdhëniet Prishtinë Athinë të shkëlqyera por mungon njoha&rdquo

Robert GORO 06 Maj 2017

Edhe pse Athina vazhdon të mos e njohë Kosovën si shtet sovran e të pavarur, kjo nga të dy palët nuk shihet si pengesë për zhvillimin shumëdimensional të marrëdhënieve. Këto marrëdhënie, ministri i jashtëm i Kosovës, Enver Hoxhaj, i cilëson si të shkëlqyeshme, pavarësisht se nuk heziton të shprehë me diplomaci brengën që Athina ende nuk po vendos ta njohë Kosovën. Një brengë që ai e kishte edhe në vizitën re parë zyrtare që kishte bërë në Athinë, në mars 2014. Ministrin Hoxhaj e intervistuam menjëherë pa takimit që ai pati në Athinë me homologun e tij grek, Nikos Kotzias. Ky ishte takimi i dytë i dy shefave të diplomacive respektive; i pari ishte realizuar shtatorin e vjetshëm, në Nju Jork, në kuadër të asamblesë së përgjithshme të OKB-së. Robert GORO: Nëse nuk gaboj, kjo është vizita juaj e dytë në një hark kohor prej katër vjetësh. A do të kishit një titull për takimin e sotëm me homologun tuaj grek? ENVER HOXHAJ: Titulli do të ishte që Greqia është një partner dhe vend mbështetës i Kosovës, dhe marrëdhëniet tona janë të shkëlqyera. Gjithë çka i mungon këtij raporti është vetëm mungesa e një vendimi që Athina ta njohë Kosovën si shtet sovran dhe të pavarur. Ne kemi lëvizur nga një bashkëpunim i ngushtë ndërshtetëror, ndërinstitucional mes dy vendeve tona, drejt thellimit të bashkëpunimit ekonomik, - meqë para dy muajsh kemi pasur dhe një konferencë të investitorëve grekë në Prishtinë - dhe jemi të interesuar që me Greqinë të koordinohemi për tema rajonale dhe për Ballkanin Perëndimor që Greqia më tutje ta mbështetë axhendën europiane të Kosovës si dhe të mbështesë Kosovën për t’u bërë pjesë e sistemit ndërkombëtar, e shoqërisë ndërkombëtare, përmes anëtarësimit të Kosovës në organizatat e ndryshme ndërkombëtare. Raportet tona si vend janë të shkëlqyeshme, ndërsa raporti im personal me ministrin Kostzias është i shkëlqyeshëm: ne gjysmën e bisedës e bëmë në gjuhën angleze, dhe gjysmën tjetër e bëmë në gjuhën gjermane, për shkak të formimit tonë gjermanishtfolës. Robert GORO: ... Megjithatë, ju të dy ende nuk keni arritur të gjeni gjuhën e përbashkët për çështjen e njohjes. Për mendimin tim ajo që ka ndryshuar gjatë këtyre katër viteve, është fakti se sot, situata në rajon paraqitet shumë më e agravuar sa ç’mund të ishte katër vjet përpara. Në këtë sens, a keni parë një ndryshim tendence në qëndrimin e Greqisë për njohjen e Kosovës nisur nga fakti se, ashtu sikurse ma keni thënë edhe në një intervistë të mëhershme, njohja do t’i ndihmonte jo vetëm Kosovës dhe Greqisë, por edhe stabilitetit në rajon. Pra, në këtë situatë kaq sensibile që është stabiliteti në rajon, a ka gjasa që Greqia ta ndryshojë qëndrimin e vet, a “nuhatët” diçka të tillë? ENVER HOXHAJ: Natyrisht, që gjatë vizitave të tilla, kërkesa ime e parë, e vetme, e fundit dhe më e rëndësishmja, është që ta njohin këto vende pavarësinë e Kosovës, meqë Kosova është një fakt gjeopolitik, është e do të jetë gjithherë një shtet dhe askush nuk mund ta kthejë mbrapa orën e historisë. Por vendimet e shteteve sovrane, janë vendime të shteteve sovrane dhe unë nuk mund të flas në emër të qeverisë greke. Me ministrin grek kemi biseduar hollësisht mbi situatën në rajon. I ndaj pikëpamjet me ju që po kthehet një fazë e re destabiliteti; kemi një lloj rikthimi të historisë në rajon, prandaj edhe Kosova si shteti më i ri në rajon, ai aktori më i ri politik në rajon, në bashkëpunim me Greqinë, me Shqipërinë, me Malin e Zi dhe me vende të tjera të rajonit, mund të japë kontributin e saj për stabilitet rajonal. Unë besoj që marrëdhëniet në mes të Kosovës dhe Greqisë janë në një bazë të fortë dhe solide, dhe pres që këto marrëdhënie të avancojnë. Robert GORO: Athina zyrtare ka shprehur gatishmërinë që në rast se i kërkohet, të negociojë për një lehtësim, le ta them kështu, të situatës në Maqedoni. A u diskutua me homologun tuaj grek që të ketë edhe Prishtina një rol të ngjashëm në një negociim të mundshëm? ENVER HOXHAJ: Natyrisht që ne kemi biseduar për gjendjen në rajon si tërësi, por edhe për situatën për secilin vend veç e veç. Qasja jonë si Kosovë është që është në interes të Ballkanit që të ketë një Maqedoni stabile, është në interes të këtij vendi që të integrohet në strukturat euro-atlantike, dhe natyrisht që Greqia mund ta ketë një rol të rëndësishëm në një situatë të tillë. Mirëpo procesi që ka filluar atje, sikurse ka ndodhur zgjedhja e kryetarit të Kuvendit, që është një avancim i të drejtave të shqiptarëve atje, duhet të përmbyllet me formimin e qeverisë së re dhe mendoj qe në momentin që në Shkup do të ketë një qeveri të re, edhe Athina, edhe Tirana, edhe Prishtina, edhe Sofia, por edhe Bashkimi Europian, Brukseli dhe Uashingtoni, mund ta japin kontributin e tyre. Qasja jonë si vend i ri sovran dhe i pavarur është që ne t’i shohim shqiptarët të integruar në atë shtet, t’i shohim që të marrin pjesë në jetën politike dhe publike dhe të respektohet në tërësi marrëveshja e Ohrit. Pothuajse është absurde në shekullin 21, ta kemi një dilemë se a mund të përdoret gjuha shqipe si gjuhë zyrtare, në një vend ku shqiptarët banojnë në pothuajse 40% të territorit apo në gjysmën e territorit, dhe në një vend ku shqiptarët përbëjnë mbi 30% të shoqërisë që jetojnë atje. Këto tema kanë qenë temë e bisedës me ministrin Kotzias. Robert GORO: Ju falënderoj shumë dhe ju uroj vazhdimisht mbarësi në detyrën tuaj të rëndësishme. ENVER HOXHAJ: Edhe unë ju falënderoj.

Ndaje me miqte