Ish kryeministri Papandreu në gjyq &ldquopër tradhëti të lartë&rdquo
TRIBUNA
12 Janar 2017
Ish kryeministri socialist grek, Jorgos Papandreu, do të paraqitet në sallën e gjyqit, që të përballet me akuzën për tradhëti të lartë.
Një prokuror ka pranuar kallëzimin e një ish oficeri të marinës, dhe çështja do të gjykohet më 19 janar. Akuza bazohet në deklarata që zoti Papandreu, atëherë kryetar i PASOK-ut në opozitë, kishte bërë gjatë fushatës elektorale të vitit 2009.
Përveç akuzës për tradhëti të lartë, Papandreu do të gjykohet për mashtrim të elektoratit dhe shpërndarje lajmesh të rreme.
Për të tri këto vepra penale parashikohen dënime nga tre muaj deri në burgim të përjetshëm.
Përveç penalizimit të ish kryeministrit, paditësi kërkon që zoti Papandreu t’i paguajë si dëmshpërblim një shumë prej 290 mijë eurosh.
Paditësi e argumenton kërkesën e tij me faktin se, siç thotë, ai u besoi premtimeve të zotit Papandreu, të përmbledhura nën moton “Paratë ekzistojnë”. Ky besim e shtyu që të votonte për socialistët, edhe pse kishte qenë një mbështetës konstant i konservatorëve.
“Pas marrjes së pushtetit, Papapandreu nuk realizoi asnjë nga premtimet e tij. Përkundrazi, të ardhurat e mia dhe dinjiteti im si qytetar shkuan vazhdimisht drejt rënies”, pretendon paditësi.
Në fakt, deklarata e Jorgos Papandreut “Paratë ekzistojnë”, është keqinterpretuar jashtëzakonisht në Greqi. Vetë ish kryeministri ka thënë se qëllimisht u shkëput vetëm ky togfjalësh, në kohën që ai e kishte sqaruar se ku do të gjendeshin këto para.
“Unë kam thënë që paratë do të gjenden nëse:
Luftojmë evazionin fiskal,
Nëse rritim transparencën në sektorin publik dhe reduktojmë shpenzimet,
Nëse realizojmë reformat e gjithanshme,
Nëse luftojmë burokracinë dhe sjellim investimet e huaja”, ka sqaruar Papandreu në një intervistë për telelvizionin Skai.
Megjithëse Papandreu e ka bërë disa herë publikisht këtë sqarim, në kujtesën e publikut ka mbetur vetëm premtimi se si do të sillte para kur të vinte në pushtet, gjë që nuk e bëri.
Ky premtim që i përsëritet vazhdimisht si refren, ka bërë që PASOK-u të ndëshkohet me votë në gjithë zgjedhjet e fundit. Partia që dominoi për më shumë se dy dekada në Greqi, në zgjedhjet e shtatorit 2015, nuk mundi të merrte veçse diçka më shumë se një çerek milioni, duke u rendituar në vendin e katërt.
Ndaje me miqte