0030 210 33 18 483

Ish kryeministri grek Papademos plagoset në një atentat me zarf bombë

Tribuna 25 Maj 2017

Ish kryeministri i Greqisë, Lucas Papademos ka marrë plagë të shumta, por jo të rrezikshme për jetën, si rezultat i një shpërthimi brenda makinës së tij. Shpërthimi ndodhi kur Papademos po hapte një zarf, i cili sipas të gjitha gjasave kishte brenda lëndë eksplozive. Ishte ora 18,35, në kryqëzimin e rrugëve Marnis dhe 3 shtatori, në qendër të Athinës. Papademos, drejtuesi i mjetit dhe një nga shoqëruesit u dërguan në spital. Ish kryeministri ka marrë plagët më të shumta në kraharor dhe në fytyrë. Në orët e vona të mbrëmjes ai u fut në sallën e operacionit, për t’iu pastruar dhe mjekuar plagët. Në një njoftim nga spitali thuhet se gjendja shëndetësore e zotit Papademos është e qëndrueshme dhe nuk përbën shqetësim. Atentati u dënua nga gjithë forcat politike të Greqise. Kryeministri Tsipras, nga Brukseli ku ndodhet për samitin e NATO-s, shkruajti në Twitter se sai shprehte indinjatën për sulmin kundër ish kryeministrit dhe i uronte shërim të shpejtë, atij dhe shoqëruesve. Në kërkim të autorëve Zona ku ndodhi shpërthimi, fare pranë sheshit Omonia, u bllokua që në momentin e parë nga policia. Ekspertë të shërbimit antiterror po “krehin” një rreze të gjerë, për të gjetur shenja që do t’i ndihmojnë në zbardhjen e atentatit. Sipas burimeve të shtypit, edhe pse zarfi kishte kaluar në dy kontrolle sigurie, nuk kishte rezultuar i dyshimtë. Ndërsa vlerësimet e para sugjerojnë se zarfi bombë ka ngjashmëri me ato që u dërguan dy muaj më parë, në zyrën e ministrit gjerman të financave, Wolfgang Schauble dhe në selinë e misionit të FMN-së në Paris. Atëherë përgjegjësinë e kishte marrë organizata guerrile greke, Komploti i Celulave të Zjarrit. Ende nuk ka një marrje përgjegjësie për atentatin ndaj ish kryeministrit Papademos. Njeriu që mbajti Greqinë në eurozonë 69 vjeçari Lucas Papademos, aktualisht është kryetar i Akademisë së Shkencave të Athinës. Pasi kishte shërbyer më parë si guvernator i Bankës së Greqisë dhe zëvendëspresident i Bankës Qendrore Europiane, Papademos u thirr në nëntor 2011 që të drejtonte qeverinë me bazë të gjerë e cila mbajti barrën e rëndë të miratimit të një pakete të re masash shtrënguese. Miratimi i asaj pakete e shtoi pakënaqësitë mbarëpopullore, që u shpreh me protesta të shumta e të dhunshme. Por megjithatë, Lucas Papademos, për periudhën 6 mujore që shërbeu në postin e kryeministrit, është cilësuar si “njeriu që e mbajti Greqinë në zonën e euros”.

Ndaje me miqte