Presidenti i Republikës, Bujar Nishani i akordoi shkrimtarit te shquar Ismail Kadare “Dekoratën e Flamurit Kombëtar” me motivacionin: “Në shenjë nderimi dhe mirënjohjeje të pakufishme për veprat e vyera letrare, për pasurimin e pashtershëm e të çmuar të letrave shqipe, si dhe për kontributin e jashtëzakonshëm dhënë në drejtim të lartësimit të emrit e vlerave të kombit shqiptar anembanë botës”.Kreu i shtetit ia dorezoi Dekoraten shkrimtarit të madh, gjatë punimeve të Konferencës Shkencore Ndërkombëtare “Shekulli i Kadaresë”, organizuar nga Akademia e Shkencave e Shqipërisë dhe Akademia e Shkencave dhe e Arteve të Kosovës, me rastin e 80-vjetorit të lindjes se tij. Në fjalën e tij, Kreu i shtetit vlerësoi veprën e Kadaresë, që siç tha ai, nuk i përket vetëm kombit shqiptar, por është përtej kombit shqiptar, ajo është vlerë e kulturës botërore. “Ashtu si edhe vetë mjeshtri Kadare nuk i përket vetëm kombit shqiptar. Ai tashmë i përket fondit akademik, shkencor, kulturor botëror. Ne shqiptarëve na takon që ta referojmë veprën e Kadaresë dhe vetë mjeshtrin në radhë të parë me vetë identitetin tonë, me kontributin për kombin shqiptar”, tha Nishani. Ai vuri ne dukje ‘kontributet e paçmuara’ te Kadarese, dhe meritat e tij krijuese dhe qytetare, si mendimtar dhe si veprimtar, si rikrijues i një Shqipërie të denjë letrare për botën. Presidenti theksoi se edhe në një sistem tiranik si komunizmi shqiptar, Ismail Kadare ruajti dhuntinë e shkrimit dhe zgjeroi hapësirat e lirisë mendore për të gjithë ne. “Vepra e tij ishte hapësirë lirie dhe univers i pamatë krijues dhe izolimi komunist e humbi betejën themelore me veprën e Kadaresë. Ai bëri letërsi të madhe evropiane në Shqipëri kur ajo anatemohej si e keqja absolute. Ai e mbajti shpirtërisht Shqipërinë në Evropë duke i plotësuar këtë nevojë jetike dhe ne u kapëm tek kjo spirancë kur thërrisnim në vitet 1990-të ‘E duam Shqipërinë si gjithë Evropa! nenvizoi Kreu i Shtetit. Kadareja, theksoi ai, është një shkrimtar që arriti të shkruante letërsi evropiane duke mbijetuar në një regjim të vdekur. Në Konferencën ishin te pranishëm kryetari i Akademisë së Shkencave, Prof. Muzafer Korkuti dhe anëtarë të Akademive së Kosovës dhe Maqedonisë, ambasadorë dhe përfaqësues të Trupit Diplomatik, studiues, përkthyes, dhe miq të shkrimtarit nga mbarë bota.