John Kerry në Athinë përsërit mbështetjen ndaj projektit të TAP
04 Dhjetor 2015
Sekretari amerikan i shtetit, John Kerry ka shprehur mbështetjen e Uashingtonit ndaj projektit për gazsjellësin TAP, dhe të interkonjeksionit Greqi-Bullgari, dhe ka inkurajuar të gjitha palët për të përshpejtuar procedurat e realizimit.
Zoti Kerry, që zhvilloi një vizitë njëditore në Athinë, deklaroi se Greqia ka një rol në rritje për sigurinë energjitike europiane, dhe se diversifikimi i energjisë është një objektiv i përbashkët i dy vendeve aleate dhe partnere.
John Kerry i bëri këto deklarata pas takimit me homologun e tij grek, Nikos Kotzias, në selinë e ministrisë së jashtme greke.
Kerry theksoi se SHBA-të mbështesin përpjekjet e Greqisë për zhvillim ekonomik. “Përshëndesim marrëveshjen e Greqisë me kreditorët dhe punën e madhe që është bërë për zbatimin e saj”, tha Kerry, që shtoi se nevojiten më shumë përpjekje, por u shpreh i bindur se Greqia do të vazhdojë në rugën e reformave.
Sekretari amerikan i shtetit shtoi se përderisa Greqia vazhdon në rrugën e reformave, Uashingtoni do të bëjë gjithçka për të bindur bizneset amerikane se Greqia “është e hapur për investime”.
Më herët, mbështetjen e Uashingtonit ndaj Athinës, Kerry ia kishte shprehur edhe kryeministrit Tsipras. “Ne nga ana jonë do të bajmë ç’është e mundur që ta shohim në një moment Greqinë të rikthehet në rrugën e zhvillimit, për të rifituar shprewsë për vendin”, i tha Kerry kryeministrit grek.
Energjitika dhe lufta kundër terrorizmit kanë qenë dy temat kryesore që Kerry ka diskutuar me palën greke.
Duke folur për çështjen e refugjatëve, Kerry tha se proiblemi nuk është as grek, as europoian, por i përbotshëm.
Ai bëri të ditur se SHBA i dha një fond shtesë prej 24 milionë eurosh komisariatit të lartë të OKB për refugjatët, që të përdoret për krijimin e qendrave të pritjes në Greqi.
Në një gjest simbolik, sekretari amerikan i shtetit e filloi vizitën e tij në Athinë me një takim në organizatën e grave emigrante, Melissa. I entusiazmuar, Kerry vlerësoi me një mesazh në twitter, “punën e shkëlqyer të emigrantëve dhe vullnetarëve, për ndihmën ndaj emigrantëve të porsarardhur”.
Vizita e John Kerry-t në Athinë u realizua nën masa tepër të rrepta sigurie, ndërkohë që grupime të majta organizuan një protestë të premten në mbrëmje.
Ndaje me miqte