0030 210 33 18 483

KE: Ekonomia greke rikthehet në zhvillim pozitiv brenda 2016s

04 Maj 2016

Komisioni Europian parashikon rikthimin e ekonomisë greke në ritme pozitive zhvillimi. Sipas raportit të publikuar të martën në Bruksel, trendi pozitiv do të rikthehet që nga gjysma e dytë e vitit 2016. Raporti ve në dukje qysh në fillim se ekonomia greke demonstroi një aftësi të jashtëzakonshme rikuperimi gjatë vitit 2015, ndërsa vlerësohet se zhvillimi ekonomik do të “përshpejtohet në 2017, falë rikthimit të kredibilitetit dhe impaktit të reformave strukturore. Ndërkaq, raporti pranon se mbetet e madhe pasiguria rreth parashikimeve të Brukselit dhe nënvizon se “rimëkëmbja e parashikuar varet nga finalizimi në kohën e duhur i vlerësimit për programin e shpëtimit të Greqisë, si dhe nga natyra e zhvillimeve në tregun financiar e atë komercial. Raporti i Komisionit Europian, i ilustron edhe me shifra parashikimet e veta për Greqinë. Kështu, rënia ekonomike në 2016-n parashikohet të jetë - 0,3%, diçka më mirë se parashikimet e bëra gjatë dimrit. Për vitin e ardhshëm parashikohet një rritje e konsiderueshme ekonomike, +2,7%, që vlerësohet se do të arrihet nga shtimi i kërkesës së brendshme, kontributin e fondeve strukturore dhe transfuzionin me likuiditete përmes shlyerjes së detyrimeve të shtetit n daj biznesit privat. Sa i përket papunësisë, pavarësisht se vërehet një tendecë konstante për t’u reduktuar, nivelet mbeten megjithatë tepër të larta. Kështu, këtë vit papunësia do të kyçet në 24,7% (nga 24,7% që ishte një vit më parë), ndërsa në 2017-n do të shënojë një ulje të vogël, duke shkuar në 23,6%. Raporti i Komisionit Europian konkludon se skenari më pozitiv për ekonominë greke do të mund të prodhohej nga rehabilitimi më i shpejtë i besimit të konsumatorëve dhe të biznesit privat. Ndërsa skenari më i keq, do të rezultonte nga një dështim në zbatimin e programit të reformave, nga një impakt më negativ i krizës së refugjatëve në tregti dhe në turizëm, por edhe nga faktorë globalë, si stanjacioni i tregtisë botërore. Tribuna

Ndaje me miqte