0030 210 33 18 483

KE: Më shumë se 35 miliardë euro për zhvillimin ekonomik të Greqisë

Tribuna 24 Gusht 2017

Komisioni Europian e mbështet Greqinë në përpjekjet e vendit për stabilitet ekonomik. Kjo mbështetje është theksuar nga komisionerja për çështjet e punësimit, Marianne Thyssen. Në përgjigje të një pyetjeje të zëvendëspresidentit të Parlamentit Europian, Dimitris Papadimoulis (SYRIZA), zonja Thyssen ka theksuar se kjo mbështetje është e “posaçme për vendet e Jugut të Europës, si Greqia, ku sipas edhe studimeve më të fundit vërehet një rekord negativ lidhur me kushtet e punës”. Sipas njoftimit të zyrës së shtypit të SYRIZA-s, komisionerja shton se “Komisioni Europian e mbështet Greqinë në përpjekjet për të rivendosur stabilitetin financiar dhe ekonomik”, si dhe që “janë vënë në lëvizje më shumë se 35 miliardë euro deri në vitin 2020, në kuadër të planit për punësimin dhe zhvillimin në Greqi, që promovon investimet dhe mbështet reformat në shërbim të zhvillimit dhe krijimit të vendeve të punës dhe përballimin e situatave sociale”. “Të drejtat sociale do të jenë busulla për konvergimin drejt kushteve më të mira të punës dhe të jetesës”, nënvizon komisionerja. Në pyetjen e vet, Papadimoulis kërkonte të informohej lidhur me mënyrën që Komisioni Europian do të mbështesë institucionin e negociatave kolektive si dhe kufizimin e vendeve të punës që ndodhen në një regjim pasigurie dhe elasticiteti, por edhe “cilat masa ka ndërmend që të përmirësojë aksesin në tregun e punës, posaçërisht në vendet e Jugut të Europës, si Greqia”.

Ndaje me miqte