KE kërcënon Hungarinë dhe Poloninë për azilkërkuesit. Danimarka sfidon
Tribuna
17 Maj 2017
Komisioni Evropian kërcënoi me fillimin e procedurave për shkelje kundër Hungarisë dhe Polonisë, nëse ato vazhdonin të refuzonin deri në qershor të presin azilkërkuesit nga Italia dhe Greqia.
“Ky është paralajmërimi i fundit”, deklaroi Dhimitris Avramopulos, eurokomisioner për Migrimin.
“Nëse nuk bëhet asgjë para se të prezantohet reporti i radhës në qershor, Komisioni nuk do të hezitojë të përdore fuqitë e tij sipas traktateve dhe të fillojë procedura për shkelje”, theksoi Avramopulos gjatë një konference për shtyp në Parlamentin Evropian në Strasburg.
Këto procedura mund të sjellin një padi në Gjykatën e Drejtësisë së BE-së dhe nëse një vend nuk i respekton vendimet e kësaj gjykate atëherë ka sanksione financiare.
Kopenhaga sfidon Brukselin për kontrollet kufitare
Danimarka është gati të sfidojë Komisionin Evropian që kërkon t’i japë fund kontrolleve në kufijtë e brendshëm të hapësirës Schengen, theksoi kryeministri Lars Lokke Rasmussen.
Më 2 maj, Komisioni kishte njoftuar se do të zgjaste me gjashtë muaj për herë të fundit masat e jashtëzakonshme të vendosura që prej vitit 2015 mes vendeve evropiane që përballen me flukset migratore, mes të cilave edhe Danimarka.
I pyetur në parlament nga kryetari i Partisë së Popullit Danez, Kristian Thulesen Dahl, kryeministri liberal iu përgjigj se nuk ishte i sigurt për heqjen e këtyre kontrolleve.
Ndaje me miqte