0030 210 33 18 483

KOMENT: Si mund të dalë Gjermania nga kriza e qeverisjes?

ATSH- DPA 20 Nentor 2017

BERLIN, 20 nëntor /ATSH-DPA/ - Lideri i Demokratëve të Lirë, Christian Lindner njoftoi dje në mbrëmje se bisedimet e koalicionit për formimin e një qeverie të re me bllokun konservator të kancelares, Angela Merkel dhe të Gjelbërit kishin dështuar. Duke supozuar se Demokratët e Lirë (FDP) nuk janë të gatshëm për t’u kthyer në tryezën e negociatave, më poshtë janë renditur tri hapat që mund të ndërmerren: Kthimi i koalicionit të mëparshëm Për të arritur shumicën e nevojshme në parlamentin gjerman, kristiandemokratët e Merkelit (CDU) dhe Unioni Kristiansocial (CSU) mund të formojnë një koalicion të madh me socialdemokratët (SPD). Deri tani, SPD-ja ka refuzuar të formojë një koalicion me Merkelin duke iu përmbajtur vendimit të partisë pas rezultateve të dobëta në zgjedhjet e shtatorit. Pas dështimit të bisedimeve të koalicionit të dielën, një nga liderët e e SPD-së, Ralf Stegner deklaroi se partia e tij nuk kishte ndryshuar qëndrim dhe se dëshironte të mbetej në opozitë. Qeveri e pakicës Si liderja e partisë më popullore në vend, Merkel mund të zgjedhë gjithashtu të drejtojë një qeveri të pakicës, pas bashkimit me FDP-në apo të Gjelbërit për të formuar koalicionin. Kjo do të thotë se Merkel do të humbasë shumicën e saj në parlament dhe do t’i duhet të kërkojë mbështetjen e partive të tjera për votat e politikave individuale. Deri tani, qeveritë e pakicave në Gjermani kanë qenë një dukuri e rrallë, ekzistuese vetëm në nivel landesh. Ky vendim mund të dëmtojë influencën e kancelares, Merkel e cila është parë gjithmonë nga liderët e huaj si gruaja më e fuqishme e botës. Zgjedhje të parakohshme Pas një serie përpjekjesh të pasuksesshme për formimin e qeverisë, presidenti i Gjermanisë, Frank-Walter Steinmeier, mund të shpërndajë parlamentin aktual dhe të kërkojë zgjedhje të parakohshme. Zgjedhjet e parakohshme duhet të zhvillohen brenda 60 ditëve. Përpara se kjo të ndodhë, si fillim Steinmeier duhet të nisë një proces që përfshin një votim parlamentar për të përcaktuar funksionin e Merkelit si kancelare e përkohshme. Merkel njoftoi se do të zhvillojë sot një takim me Steinmeier dhe anëtarët e partisë së saj për të diskutuar mbi hapat e ardhshme të koalicionit. Megjithatë, zgjedhjet e parakohshme mund të jenë të rrezikshme, pasi anëtarët e konservatorëve të Merkelit besojnë se zhvillimi i tyre mund të sjellë rezultate të dobëta për bllokun CDU / CSU, duke u mbështetur në rezultain e tyre më të ulët të zgjedhjeve të 24 shtatorit prej 32,9 për qind.

Ndaje me miqte