KQZ u heq mandatin deputetëve Rakipi e Rehovica
06 Janar 2018
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve vendosi të premten në favor të ndërprerjes së mandatit për dy deputetët, Aqif Rakipi i Partisë për Drejtësi, Integrim dhe Unitet dhe Gledion Rehovica, i Lëvizjes Socialiste për Integrim.
Me 5 vota pro, KQZ mbështeti kërkesën e bërë nga prokuroria, sipas së cilës të dy deputetët nuk kishin përfshirë në formularët e deklarimit të dhëna që lidheshin me të kaluarën e tyre. Sipas prokurorisë, Rakipi rezulton të jetë referuar nga policia italiane për mbajtje të sendeve të vjedhura, ndërsa Rehovica si i përfshirë në vjedhjen e një dyqani. Që të dy gjithashtu rezultojnë sipas të dhënave të marra nga Italia se kanë përdorur emra të rremë, të cilët nuk janë deklaruar nga dy deputetët.
Gjatë mbledhjes së Komisionit Qëndor të Zgjedhjeve, avokatët e deputetëve Rakipi e Rehovica, u shprehën se kërkesa e Prokurorisë është e pabazuar, pasi ndaj deputetëve nuk ka patur asnjë procedim penal, e aq me tepër vendim gjykate për dënimin e tyre. Edhe mos deklarimi i emrave të tjerë të përdorur prej tyre, nuk përbën, sipas avokatëve, shkak për ndërprerje të mandatit, pasi nuk mund të konsiderohet si një veprim i qëllimshëm, duke qenë se edhe në rast deklarimi ata, sipas avokatëve, nuk do prekeshin nga ligji për dekriminalizimin.
Vendimi i KQZ-ës u përshëndet nga Ambasada amerikane në Tiranë, sipas së cilës kjo “është provë pozitive se procesi i rëndësishëm i dekriminalizimit, filluar në dhjetor 2015, vazhdon në Shqipëri”.
Ndaje me miqte