KQZ vijon regjistrimin e subjekteve zgjedhore
ATSH
19 Mars 2017
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve vijon vendimmarrjet në kuadër të përgatitjes së zgjedhjeve parlamentare. Në mbledhjen e së hënës, KQZ pritet të miratojë regjistrimin e 6 subjekteve zgjedhore, që do të garojnë më 18 qershor, mes tyre dhe të Partisë Socialiste.
Sipas vendimit të hartuar nga administrata zgjedhore, KQZ do të regjistrojë si subjekt zgjedhor Partinë Socialiste të Shqipërisë, me kryetar Edi Rama dhe shkronja nistore PS.
Krahas saj, KQZ do të regjistrojë si subjekt zgjedhor Partinë Socialdemokrate, me kryetar Skënder Gjinushi, dhe shkronja nistore PSD; Partinë e Punës së Shqipërisë, me kryetar Muharrem Xhafa, dhe shkronja nistore P.P.SH; Partinë e Emigracionit Shqiptar, me kryetar Kostaq Papa dhe shkronja nistore P.E.SH; Partinë Centriste të Mirëqënies Popullore Shqiptare, me kryetar Vladimir Lulaj dhe shkronja nistore PCMPSH dhe Partinë Bashkimi Demokristian Shqiptar, me kryetar Eduart Ndocaj, dhe shkronja nistore PBDKSH.
Opozita, ende nuk regjistrohet
Asnjë nga partitë opozitare nuk është regjistruar deri më sot si subjekt zgjedhor duke i qëndruar kërkesës së tyre për krijimin e nje qeverie teknike që do të garantonte mbajtjen e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme.
Sipas kodit zgjedhor, neni 64, pika 1, çdo parti politike duhet të paraqesë kërkesën për t’u regjistruar në KQZ jo më vonë se 60 ditë përpara datës së zgjedhjeve.
Më herët, të mërkurën, KQZ ka regjistruar gjashtë partite e para, si subjekte zgjedhore që do të garojnë në zgjedhjet parlamentare të 18 qershorit.
Me votat e të gjithë anëtarëve, KQZ miratoi regjistrimin e Partisë Drejtësi, Integrim dhe Unitet, me kryetar Shpëtim Idrizin dhe shkronja nistore PDIU; partinë Aleanca Demokratike, me kryetar Eduard Abazi dhe shkronja nistore AD, partinë Personat me Aftësi të Kufizuar me kryetar Afrim Jeshili dhe shkronja nistore, PAK, partinë e Unitetit Kombëtar me kryetar Idajet Beqiri dhe gërma nistore PUK, Partinë Socialiste të Moderuar me kryetar Gjergji Koja dhe shkronja nistore PSM dhe partinë Aleanca për Demokraci dhe Solidaritet me kryetar Gaqo Apostoli dhe shkronja nistore, ADS.
Ndaje me miqte