0030 210 33 18 483

Kancelari austriak propozon moratorium 5 vjeçar për Greqinë

08 Qershor 2015

“Të gjendet më në fund një zgjidhje afatgjatë për Greqinë, me shtyrje të pagesave të saj për 5 vjet”, deklaron në një intervistë për gazetën vendase “Osterreich”, kancelari i Austrisë, Werner Faymann. Faymann thekson se Greqia në asnjë mënyrë nuk duhet të dalë nga euro, “mirëpo për këtë do të duhet që grekët të ndihmohen në një plan afatgjatë, dhe jo siç bëhet në këto momente, vetëm nga java në javë”, diçka që siç thotë Faymann, “kujton situatën e dikujt që po mbytet dhe që ndihmohet vetëm që të përballojë dallgën e radhës, por jo që të dalë përfundimisht nga uji”. Kancelari austriak mendon se për një zgjidhje të tillë permanente nevojitet një paketë masash për pesë vitet e ardhshme dhe për këtë periudhë kohore nevojitet një lloj pezullimi i pagesave, me kushte dhe rregulla të rrepta. “Jo se grekët do të duhet të mos paguajnë absolutisht asgjë, por do të duhet t’u jepet për këto pesë vjet një pezullim i konsiderueshëm pagesash dhe pastaj duhet të hartohet bashkë me ta (grekët) një paketë që do të parashikojë kursime dhe reforma, por edhe me dimensione sociale, që njëkohësisht do të mundësojë investime dhe siguri”, thekson në intervistën e vet Faymann. Kancelari austriak deklaron se ai personalisht do të bëjë në ditët e ardhshme përpjekje më intensive, për t’u gjetur bashkë me grekët një zgjidhje permanente, ashtu siç ishte arritur gjatë krizës bankare me “ombrellën mbrojtëse”.

Ndaje me miqte