0030 210 33 18 483

Kandidatët për deputetë të LSI takime në Athinë

Tribuna 12 Qershor 2017

Kandidatë për deputetë të LSI-së në qarqet Vlorë dhe Gjirokastër kanë zhvilluar në fundjavë takime me bashkatdhetarët emigrantë në Athinë. Vangjel Tavo, Sokol Dervishaj, Ediola Braho dhe Reni Bajrami, kanë kërkuar që emigrantët të shkojnë në Shqipëri më 25 maj e të votojnë për numrin 1, gjegjësisht Lëvizjen Socialist për Integrim. Në hapje të takimit të zgjeruar të Athinës, kryetari i LSI për Greqinë, Lefter Kuqo, tha se po të mblidheshin bashkë votat që i dhanë emigrantët Lëvizjes Socialiste për Integrim në zgjedhjet e 2013-s, kjo forcë do të mund të zgjidhte dy deputetë të tjerë. Kuqo kujtoi premtimet e pambajtura të kryeministrit Rama, si për krijimin e ministrisë së emigracionit edhe atë për dhënien e të drejtës së votës. “Kjo të jetë hera e fundit që po shkojmë për të votuar në Shqipëri. Megjithatë, ne më 25 qershor do të jemi aty që me votën tonë ta bëjmë LSI-në forcë të parë qeverisëse”, theksoi Lefter Kuqo. Duke folur në Athinë para emigrantëve nga Vlora, Saranda, Delvina e Gjirokastra, kandidatët për deputetë nuk i kanë kursyer kritikat ndaj kryeministrit Rama, me partinë e të cilit qeverisën vendin për gati katër vjet. Vangjel Tavo, u ndal edhe në politikën e jashtme, duke akuzuar Ramën se e mbylli mandatin duke krijuar probleme me të gjithë fqinjët, me përjashtim të Italisë. “Dhe padyshim, këto probleme që janë krijuar me Greqinë, i kanë rënduar mundësitë tuaja të jetesës këtu, duke shtuar ndoshta burokracinë dhe shumë zyra dhe autoritete greke. Ky tensionim në marrëdhëniet është krijuar për arsye -për mua- shpesh edhe të paqena. Por edhe nëse do të kishte arsye të qenësishme, politika është ajo që duhet të ulet në tavolinë dhe t’i zgjidhë këto probleme, jo të mendojë vetëm se si t’i hedhë benzinë zjarrit. T’i zgjidhë problemet për të mirën e të dy popujve; për të mirën edhe të emigrantëve që jetojnë këtu në Greqi dhe që nuk janë pak, por 700 - 800 mijë”, theksoi Tavo. Kandidati Sokol Dervishaj u ndal te situata konfliktuale e politikës në Shqipëri, duke thënë se kjo nuk është rruga e duhur për zhvillimin e vendit. “Ajo që keni parë kohët e fundit, është një sherrnajë, është një konflikt i panevojshëm që na mban peng. Ju e dini që themi: Njëra dorën lan tjetrën, të dyja lajnë fytyrën. Por nëqoftëse ne i presim dorën njëri-tjetrit nuk kemi çfarë lajmë dhe mbi të gjitha mbetemi peng i historive të pakuptimta”. Një politikë në konsensus, tha Dervishaj, është më e kujdesshme edhe ndaj problemeve të shqiptarëve në emigrim. “Sa më paqe, sa më stabilitet, sa më siguri, sa më garanci të ketë Shqipëri aq më mirë do të ecin punët e Shqipërisë, por edhe aq më e kujdesshme do të jetë Shqipëria edhe ndaj problemeve të shqiptarëve kudo ku ata janë”, tha Sokol Dervishaj. Kandidatët për deputetë janë ndaluar edhe në dhënien e të drejtës së votës emigrantëve, një çështje që LSI insistoi të zgjidhej, por pa sukses, në reformën kushtetuese të vitit 2012. Duke shprehur besimin se do të dalin forcë e parë në zgjedhjet e 25 qershorit, ata premtuan se kjo do të jetë një nga çështjet e para që do të zgjidhen përfundimisht.

Ndaje me miqte