Kathimerini u bën thirrje liderëve në Athinë dhe Tiranë: &ldquoDuhet të guxoni&rdquo
30 Maj 2015
Gazeta e madhe greke, Kathimerini, i ka bërë thirrje lidershipit në Athinë dhe Tiranë që të lenë duelet verbale dhe të shohin si të ecin bashkarisht si dy fqinj të mirë.
Në komentin me titull “Liderët duhet të guxojnë”, analisti i njohur Stavros Tzimas, analizon zhvillimet e fundit në marrëdhëniet greko-shqiptare.
Pavarësisht se cila palë ka më shumë të drejtë, thekson Tzimas, e rëndësishme është që tonet u ngritën sërish dhe marrëdhëniet greko-shqiptare ndodhen përsëri nën tempratura të ulëta.
Tzimas vëren se pala shqiptare do të mund fare mirë t’i parashtronte në mbledhjet e komisionit dypalësh objeksionet e veta për kërkimet greke në detin Jon. Por në vend të kësaj preferuan të bëjnë notë verbale, me sytë e Ramës të drejtuara nga elektorati. Nga ana tjetër, Athina “zhveshi shpatën” për zgjedhjen e një politikani të parëndësishëm në postin e nënkryetarit të parlamentit, dhe nyatyrisht, mori përgjigjen e Ramës, shkruan Tzimas dhe vazhdon:
Me dy fjalë, Rama i tha Athinës se nuk keni legjitimitet të më thoni se cilin do të bëj nënkryetar të tretë të parlamentit në venfin tim. Dhe ka të drejtë, thekson Tzimas, duke shtruar një pyetje retorike: “Pa mendoni sikur ministria e jashtme e Shqipërisë të protestonte ndaj Aleksis Tsiprasit, pse ky mori në qeveri Panos Kamenos, të cilin shqiptarët e konsiderojnë nacionalist?”.
Kjo situatë, domethënë të hipin grekët e shqiptarët në majë të çatisë me sebepin më të vogël, nuk mund të vazhdojë, vëren Tzimas dhe shton: “Duhet më në fund të gjendet një terren i përbashkët dhe të lëmë mënjanë ato që na ndajnë. Rama dhe homologu i tij serb Vucici e tejkaluan pardje në Tiranë problemin e madh historik të Kosovës dhe u deklaruan të vendosur që të ecin përpara. Eshtë nevojë emergjente që të lemë duelet verbale dhe të shohim se si do të ecim së bashku, si dy fqinj të mirë”, nënvizon Tzimas dhe konkludon:
“Rruga për rikthimin e pranisë greke në Ballkan kalon nga ristrartimi i marrëdhënieve me Shqipërinë dhe rruga e shqiptarëve drejt BE kalon përmes Greqisë. Lidershipet duhet të guxojnë”, e përfundon Stavros Tzimas analiszën e vet që botohet të shtunën tek gazeta Kathimeri.
Ndaje me miqte