0030 210 33 18 483

Këngëtari Pandelis Pandelidhis humb jetën në një aksident

18 Shkurt 2016

Këngëtari i njohur grek, Pandelis Pandelidhis, ka humbur jetën pas një aksidenti automobilistik. Ngjarja ka ndodhur paraditen e të enjtes, në ora 08,20, në Leoforo Vuliagmenis, pranë Helinikos, në Athinë. Automjeti xhip që drejtonte këngëtari doli nga rruga për shkaqe të panjohura dhe u përplas në barrierat kufizuese të rrugës. Në makinë ndodheshin, përveç këngëtarit të pafat, edhe dy gra të reja, që u plagosën. U desh ndërhyrja e trupave zjarrfikëse që të nxirrej nga rrënojat e automjetit trupi i Pandelidhit. Këngëtari u çua në spitalin Asklipion në ora 09,20, ku u konstatua vdekja e tij. Dy gratë e plagosura ndodhen jashtë rrezikut për jetën dhe njera prej tyre, që ishte në gjendje më të rëndë, iu nënshtrua ndërhyrjes kirurgjikale. Sipas të dhënave mediatike, familja po e kërkonte prej disa orësh këngëtarin. Për ironi të fatit, Pandelidhis, më 19 shkurt, të premten, do të bënte premierë të komcerteve të tij bashkë me këngëtarët Dhespina Vandi dhe Jorgos Martakis. Kush ishte Pandelis Pandelidhis Pandelis Pandelidhis u lind në Athinë më 23 nëntor 1983 dhe u rrit në Nea Jonia. Ai ishte nënoficer në flotën luftarake detare, por dha dorëheqjen për t’iu kushtuar këngës. Mësoi në mënyrë autodidakte instrumentet muzikore dhe vokalin. Megjithëse këngët e tij, që i këndoonte vetë apo këngëtarë të tjerë kishin sukses të madh, ai vazhdonte të punononte në agjencinë e llotarive që kishte bashkë me prindërit në Nea Jonia. Që në moshë të vogël kompozonte këngë që i regjistronte në video dhe ua dërgonte miqve të tij. Ata i publikonin në You Tube dhe kështu u bë i njohur. Kritikët e kanë quajtur “fenomeni pandelidhis”, pikërisht ngase u bë i njohur nëpërmjet internetit dhe jo nëpërmjet shouve të ndryshëm televizive për talentet e reja, siç ndodh zakonisht. Disku i tij i parë, “Netët alkoolike”, qarkulloi në 2012 dhe u bë dyfish i platintë, domethënë shiti mbi 200 mijë kopje. Vetë ai kishte deklaruar se këngët i kompozonte i frymëzuar nga përvojat personale jetësore apo nga ngjarje të të të afërmve të tij. Tribuna

Ndaje me miqte