0030 210 33 18 483

Koha për drejtim dhe përfaqësim me dinjitet të komunitetit të emigrantëve

25 Korrik 2015

Nevoja për të gjetur mënyra bashkëkohore në drejtimin e komunitetit të emigrantëve dhe përfaqësimin me dinjitet të tij, mblodhi në zemër të Athines, një grup intelektualësh, të rinjsh studentë, përfaqësues të brezit të dytë dhe shtresa të tjera të komunitetit shqiptar. Ishte kjo një iniciativë e z. Fatos Malaj, që tashmë dihet roli i tij i madh në komunitetin e gjerë të emigrantëve. Duke u mbështetur nga shpjegimet e përfaqësuesve si dhe nga studimi i fundit që ka bërë organizata jo qeveritare “Arogji” (Përkrahja), u arrit në konkluzionin se tashmë ka ardhur koha që komuniteti shqiptar, mbi 20 vjet përvojë në drejtimin dhe bashkëpunim me organizma qeveritare dhe jo qeveritare, të gjejë mënyra më bashkëkohore organizimi e drejtimi, me qëllim mbrojtjen e të drejtave, dinjitetit dhe interesave ekonomike e sociale të anëtarëve të saj dhe gjithë komunitetit të emigrantëve. Ideja është për reformimin e organizatës jo qeveritare “Arogji”, që funksionon për afro 3 vjet. Ky reformim vjen si nevojë për të afruar më shumë emigrantët me këtë organizatë, për t’i shërbyer më mirë, për t’i përkrahur dhe përfaqësuar në të gjitha nivelet, për të shfrytëzuar në dobi të emigrantëve programe të ndryshme të organizmave qeveritare dhe jo qeveritare, si dhe të Bashkimit Evropian për kualifikim dhe arsimimin e tyre me afate të shkurta duke përballuar kështu sfidat e globalizmit. Gjatë diskutimeve u theksua nevoja: - Për të siguruar një organizatë demokratike, të pavarur nga shteti, partitë politike, besimet fetare, punëdhënësit publikë apo privatë dhe nga organizatat e shoqatat e ndryshme joqeveritare. -Trasparenca dhe akses i plotë për çdo person fizik ose juridik, vendas ose i huaj - Rritja e rolit të emigrantëve në përshtatje me aftësitë dhe mundësitë e gjithësecilit. -Një përfaqësim dinjitoz dhe me individë të kompletuar, njohës në fushat që ushtron aktivitet organizata. - Nevoja e një komunikimi të civilizuar, duke vënë në themel të saj, dialogun, mirëkuptimin, qëllimin e përbashket, mbështetja mbi vullnetin e shumicës, u theksuan si domosdoshmeri për realizimin e objektivave të kësaj organizate. - Zgjerimi i aktiviteteve jo vetëm brenda vendit por edhe në rang BE, duke u binjakëzuar me organizata të tjera të vendeve anëtare të Bashkimit Europian. Një rëndësi e veçantë iu kushtua dhe interesimit të madh që ka “Arogji” për ecurinë e Shqipërisë drejt integrimit europian; në këtë kuadër, u theksua se ne do të jemi partnerë dhe bashkëpunëtorë në përpjekjet që po bën qeveria Shqiptare për realizimin e reformave, por do të qëndrojmë përballë në se politikanë apo aktorë të politikës në vend, qeveritarë apo opozitarë nuk i shërbejnë integrimit të plote të vendit në BE. Në fund, me votën e të gjithë pjesëmarrësve u miratua, që deri në zgjedhje organizata “Arogj” të drejtohet nga bordi i përbërë nga: 1) Fatos Malaj, Kryetar 2) Adriatik Arifi, z/kryetar 3) Ira Londo, Sekretare 4) Viktor Zhusti, anëtar 5) Robert Goro, anëtar 6) Katerina Llano, anëtare 7) Adrian Rakipi, anëtar. Menjëherë pas Athinës, puna për riorganizimin e “Arogji” ka filluar edhe në Selanik e në Patra. Adriatik ARIFI, Phd Candidate dhe këshilltar biznesi

Ndaje me miqte