0030 210 33 18 483

Komisioni Europian: Pa kufizime lëvizja Schengen brenda Greqisë

05 Maj 2016

Komisioni Europian ka miratuar zgjatjen edhe për gjashtë muaj të tjerë të kontrolleve të brenda zonës Schengen që kanë aplikuar disa shtete të Bashkimit Europian. Pavarësisht se kjo masë motivohet me mangësitë që vazhdon të paraqesë Greqia në menaxhimin e kufijve, këto kontrolle nuk do të bëhen brenda për brenda kufijve të Greqisë. Kontrollet do të zgjasin edhe për gjashtë muaj të tjerë në Gjermani, Austri, Suedi, Danimarkë dhe Norvegji (kjo e fundit, vend i asociuar në marrëveshjen Schengen). Duke argumentuar vendimin, nënpresidenti i Komisionit Europian, Frans Timmermans nënvizoi se kontrollet e brendshme duhet të mbeten, për shkak të deficencave serioze që ka Greqia në menaxhimin e kufijve të jashtëm të Bashkimit Europian. “Ka ende një presion të madh migrativ në kufijtë tanë të jashtëm dhe një numër i madh emigrantësh po qëndrojnë në Greqi. Rrjedhimisht, që nga momenti që mbeten deficencat serioze në menaxhimin e kufijve nga ana e Greqisë, disa kontrolle të brendshme kufitare duhet të vazhdojnë”, tha Timmermans. Nga ana e vet, komisioneri i çështjeve të brendshme dhe emigracionit, Dimitris Avramopulos, tha se synimi i Komisionit Europian është rivendosja e plotë e funksionimit të zonës Schengen deri në fund të vitit. Avramopulos tha se mbeten ende disa probleme në kufijtë e jashtëm, që e bëjnë të nevojshme ruajtjen e kontrolleve kufitare në disa prej shteteve anëtare. Por komisioneri theksoi se Greqia ka shënuar “progres kolosal” muajt dhe javët e fundit dhe shtoi se nuk do të ketë kontrolle në kufijtë Schengen të Greqisë, domethënë në aeroportet dhe portet detare të vendit. Tribuna

Ndaje me miqte