0030 210 33 18 483

Komisioni Europian premton largimin e 30.000 refugjatëve nga Greqia

TRIBUNA 30 Shtator 2016

Komisioni Europian vlerëson se 30.000 prej refugjatëve që ndodhen aktualisht në Greqi do të mundet që brenda vitit të ardhshëm të rivendosen në shtete të tjera të Bashkimit Europian. “Me rritjen e kapaciteteve të shërbimit grek të azilit dhe nëse shtetet anëtare intensifikojnë përpjekjet e tyre, do të bëhet e mundur rivendosja e kandidatëve që ndodhen në Greqi, (rreth 30.000 vetë), brenda vitit të ardhshëm”, thuhet në një raport të Komisionit Europian, të publikuar të mërkurën. Duke iu referuar programit të rivendosjes së refugjatëve që u miratua në shtator të vitit të kaluar nga liderët e Unionit, Komisioni thekson se është shënuar “progres i rëndësishëm”. Por analistët grekë e konsiderojnë këtë konstatim si cinik, përderisa sipas tyre, faktet thonë të kundërtën. Vetëm 5.651 refugjatë janë zhvendosur nga Greqia dhe Italia që nga shtatori i kaluar, nga 160.000 që është planifikuar të zhvendosen në periudhën 2015-1017. Gjithsesi, Greqia ka marrë që nga janari 2015 një ndihmë emergjente prej 353 milionë euro për të përballuar krizën e refugjatëve. Gjysma e kësaj shumë i është dhënë direkt autoriteteve greke dhe pjesa tjetër organizmave ndërkombëtarë dhe europianë që operojnë në Greqi. Greqia gjithashtu ka marrë edhe një paradhënie prej 229 milionë eurosh, nga 509 që i takojnë deri në vitin 2020, në kuadër të programeve kombëtare. Një pjesë e këtyre parave duhet të përdoren për t’u realizuar deri në fund të vitit një sërë aksionesh, me qëllim që të fillojë sërish zbatimi i marrëveshjes së Dublinit. Sipas kësaj marrëveshjeje, emigrantët apo refugjatët e parregullt që kapen në territorin e BE-së, duhet të kthehen në shtetin anëtar ku u futën së pari. Nisur nga fakti se shumica dërrmuese e refugjatëve dhe emigrantëve futen në Greqi, këta duhet të kthehen në shtetin helen. Një mundësi e tillë i rrit edhe më shumë problemet, në kohën që në Greqi ka aktuaslisht më shumë se 60.000 refugjatë që kanë ardhur në vend që nga gjysma e dytë e vitit të kaluar. Komisioneri europian, Dimitris Avramopulos, e pranoi se situata në Greqi me refugjatët e ka kaluar cakun, por ai shtoi se “shtetet kanë detyrimin që të zbatojnë ato që janë dakorduar bashkarisht”.

Ndaje me miqte