Koreja e Jugut dhe SHBA testojnë radioaktivitetin pas proves bërthamore të Koresë së veriut
TRIBUNA
11 Shtator 2016
Koreja e Jugut dhe Shtetet e Bashkuara filluan të dielën kërkimet për materiale radioaktive, pas provës së pestë bërthamore të kryer një ditë më parë nga Korea e Veriut.
Sipas agjensisë shtetërore të Koresë së Jugut, “Yonhap”, ekipet hetimore do të mbledhin kampionë të ajrit dhe ujit për t’i testuar për materiale radioaktive, si p.sh. ksenoni.
Koreja e Jugut deklaroi sot se kapacitetet e Koresë së Veriut po rriten me shpejtësi duke rritur kështu edhe shqetësimin e udhëheqësve botërorë rreth provave të saj bërthamore. Ministri i Jashtëm koreano-jugor bëri thirrje për sanksione gjithnjë e më të ashpra ndaj përshpejtimit të aftësive bërthamore të Koresë së Veriut.
Shpërthimi i ditës së premte ishte testi i pestë bërthamor i Koresë së Veriut dhe u vlerësua në përmasat e 10 kilotonëve, duke shkaktuar një tërmet prej 5.3 ballësh.
Koreja e Veriut konfirmoi se aktiviteti sizmik që u vu re në afërsi të një objekti të saj ushtarak ishte shkaktuar nga një provë bërthamore.
Presidenti amerikan Barack Obama e dënoi provën e Phenianit. Në një deklaratë të Shtëpisë së Bardhë, Presidenti Barak Obama e quante provën bërthamore të Koresë së Veriut "një kërcënim të rëndë për sigurinë rajonale, për paqen dhe qëndrueshmërinë ndërkombëtare."
Një folëse e televizionit shtetëror të Koresë së Veriut lexoi deklaratën e Institutit të Kërkimeve për Armët Bërthamore, i cili konfirmonte se ishte kryer një provë e suksesshme për të vlerësuar aftësitë e një mbushjeje bërthamore, që tani mund të montohet në lloje të ndryshme raketash.
Shërbimi Gjeologjik amerikan dhe agjencitë evropiane e diktuan aktivitetin sizmik të premten, herët në mëngjes.
Pheniani nuk i kishte njoftuar paraprakisht planet e tij për të kryer provë bërthamore.
Koreja e Veriut ka kryer prova bërthamore në vitet 2006, 2009 dhe 2013.
Agjencia meteorologjike e Koresë së Jugut tha se prova e tanishme krijoi një shpërthim prej 10-kilotonësh, gati dy herë më të fuqishëm se sa prova bërthamore e muajit janar, por diçka më pak se bomba e Hiroshimës, që ishte rreth 15 kilotonë.
Ndaje me miqte