Kosova 9 vjet shtet i pavarur
18 Shkurt 2017
Republika e Kosovës festoi të premten 9 vjetorin e shpalljes së Pavarësisë së vendit. Në një seancë të jashtëzakonshme në 17 shkurt 2008, Kuvendi i Kosovës, në orën 15:50, shpalli pavarësinë e Kosoves.
Deklaratën e Pavarësisë e lexoi Hashim Thaçi në atë kohë kryeministri i vendit, ndërsa u miratua njëzëri nga 109 deputetë.
Thaçi, duke paraqitur deklaratën e pavarësisë, tha: “Ne e shpallim Kosovën republikë demokratike dhe laike”. Ai tha se “do të miratohet shumë shpejt kushtetuta e Kosovës, që do të respektojë të drejtat e të gjithëve.”
“Kjo kushtetutë- tha kryeministri,- do të respektojë të gjitha parimet e dokumentit të Ahtisaarit.”
Kosova e pavarur do të jetë e “përkushtuar ndaj paqes dhe stabilitetit”, thuhej në deklaratën, e cila u miratua në Kuvend. “Kosova mirëpret praninë ndërkombëtare civile dhe ushtarake”, thuhet në vazhdim. “Me pavarësinë, Kosova i merr përsipër përgjegjësitë ndërkombëtare, i garanton kufijtë e fqinjëve të saj dhe përmbahet nga dhuna si mjet për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve”, thuhet në vazhdim. Më tej theksohej se Kosova e “deklaron vullnetin e saj për marrëdhënie të mira me fqinjët e saj”.
Në deklaratën e pavarësisë thuhej se Kosova e pavarur gjithashtu e “garanton trashëgiminë kulturore dhe fetare” në territorin e saj.
Kosova është njohur deri tani nga 113 shtete anëtare të OKB-së dhe është anëtarësuar në mbi 50 organizata ndërkombëtare, politike, të sigurisë, ekonomike e të tjera.
Ndaje me miqte