Kotzias: Dy rrugët ligjore për heqjen e ligjit të gjendjes së luftës me Shqipërinë
Tribuna
20 Dhjetor 2017
Ministri i jashtëm grek, Nikos Kotzias, ka deklaruar publikisht se problemi kryesor që duhet të zgjidhet me Shqipërinë është ligji për gjendjen e luftës.
Madje shefi i diplomacisë greke ka treguar se cilat janë dhe dy rrugët që mundësojnë shfuqizimin e këtij ligji të vendosur në vitin e largët 1940. Sipas tij, kjo mund të bëhet me një dekret presidencial, ose me një vendim të parlamentit.
“Sipas përqasjes time të parë, dekreti me të cilin u shpall lufta nga Greqia ndaj shqiptarëve ishte një dekret mbretëror. Ka dy interpretime juridike. I pari, me të cilin pajtohem më shumë, është se dekretit mbretëror i korrespondon sot dekreti presidencial. Ka dhe një interpretim të dytë, që për mendimin tim nuk është kaq rigoroz, por që do diskutuar kur të vijë momenti. Ky interpretim thotë që dekreti mbretëror ishte në një kohë që nuk ekzistonte parlamenti dhe rrjedhimisht, nuk mund të kishte një dekret parlamentar. Por tani që ka parlament mund ta bëjmë. Mirëpo, nuk i korrespondon parlamenti dekretit mbretëror, i korrespondon dekreti presidencial. Këto janë dy pikëpamje juridike dhe unë konsideroj se kanë interes”, ka deklaruar Kotzias në një intervistë mjaft të gjatë për televizionin publik ERT.
Gjithsesi, ministri i jashtëm grek nuk i është përgjigjur pyetjes nëse është diskutuar me palën shqiptare dhënia e dëmshpërblimeve për pasuritë e tundshme dhe të patundshme që u vunë në konservim si pasojë e ligjit të gjendjes së luftës.
Por lidhur me këtë çështje Kotzias ka thënë se “pasojat juridike do të rregullohen me një procedurë të posaçme”.
Shefi i diplomacisë greke u është referuar edhe fërkimeve me Tiranën që u intensifikuan në gjysmën e dytë të vitit të kaluar.
“Para një viti e gjysmë unë e kisha akuzuar qeverinë shqiptare se kishte shkuar në ekstrem kur shembi një objekt që fuknsiononte si kisha e Shën Thanasit në Himarë. Qeveria shqiptare mori masa ta rindërtojë me një objekt që është një vepër elegante arti. Kur e shembën, sigurisht bëmë mirë që protestuam, por kur po e rindërtojnë është mirë ta themi dhe këtë pse është një hap pozitiv i besimit. Ashtu siç është edhe miratimi i ligjit nga qeveria shqiptare, për materializimin e marrëveshjes që ekzistonte që nga viti 2009, për varrezat e ushtarëve grekë”.
Ministri i jashtëm grek do të udhëtojë të mërkurën për në Romë, ku një nga çështjet kryesore që do të diskutojë është përcaktimi i zonës ekskluzive ekonomike. Në këtë kuadër, Kotzias u pyet edhe nëse ka diskutuar me homologun shqiptar Bushati në Kretë, shtrirjen e kësaj zone në 12 milje. Mirëpo ministri i jashtëm grek e anashkaloi përgjigjen, duke thënë që “në çështjen e varrezave po shkojmë mirë”.
Ndaje me miqte