Kotzias: &ldquoLufta është shkaku kryesor i krizës së refugjatëve që duan të na e ngarkojnë neve&rdquo
02 Mars 2016
“Shkaku kryesor për krizën e refugjatëve është lufta; këtë e kanë harruar dhe po shkojnë të na e ngarkojnë neve (këtë krizë). Lufta krijon refugjatë”, theksoi ministri i jashtëm i Greqisë, Nikos Kotzias në një intervistë për gazetarin Aleksis Papahelas për emisionin “Histori” të Tv Skai.
Kotzias vuri në dukje se askush nuk donte të parapërgatitej në Europë kur vetë ministri që në maj 2015 insistonte për rrezikun e krijimit të valëve të refugjatëve dhe atëherë ishte i akuzuar si prorus.
Lidhur me rolin e Austrisë, Kotzias tha se sipas vlerësimit të tij politik, “Austria mbështetet dhe nga forca të tjera që janë në opozitë me qeverinë e kancelares Merkel sot në Gjermani. Do të thoshja se po bën lojën e ndyrë të atyre që do të donin të rrëzonin Merkelin, apo të paktën politikën e saj”, shtoi.
Duke iu referuar qëndrimeve të Republikës Ish Jugosllave të Maqedonisë (FYROM), ministri i jashtëm grek nënvizoi se “qeveria e FYROM u entusiazmua me rolin që i dhanë Austria, Hungaria etj., dhe konsideroi se do të zgjidhte problemet e veta. Vleërsimi që po bëjmë ne tani është se kanë filluar ta kuptojnë se i përdorën”, tha dhe shtoi: “Ajo që kemi të bëjmë me FYROM është që të kuptojnë se do të kenë kosto po të vazhdojnë kështu dhe ata po e kuptojnë dalëngadalë; dhe e dyta, se po i përdorin dhe se kjo nuk është në interes të tyre”.
I pyetur për veton që mund të përdorë Greqia në samitin e ardhshëm të BE-së, Kotzias tha se për mendimin e tij “duhen përdorur gjithë instrumentet që ke në dispozicion”, pasi “vetoja shpesh të ndihmon për të theksuar vijat e tua të kuqe dhe nuk është fundi i një negociimi, por fillimi”. “Nuk e shoh si të mundshme (vendosjen e vetos), mirëpo nëse dominonte pikëpamja e Austrisë, do ta bëjmë”, tha Kotzias, duke shtuar ndërkaq se “ne veton e vemë ndaj konkluzioneve, jo ndaj dikujt personalisht”.
Ministri i jashtëm grek tha se flukset e refugjatëve janë të menaxhueshme; Greqia mund të durojë deri në 150.000 refugjatë dhe nënvizoi se për t’u përballuar problemi nuk nevojitet paniku, por qetësia. Problemi i refugjatëve është një problem komnpleks, tha Kotzias, dhe lipsen zgjidhje të komplikuara, në kohën që Europa nuk ishte e përgatitur të priste një numër kaq të madh refugjatësh.
Ministri i jashtëm grek shprehu preokupimin e tij për të ardhmen e Europës, duke nënvizuar se është i shqetësuar nga fakti që “vendimet e politikanëve të zgjedhur shfuqizohen nga shefat e policisë”.
“Bashkimi Europian duhet të ketë një politikë më komplekse, të mbështeten me subvencione refugjatët në Liban dhe në Jordani, të zbatohen gjithë marrëveshjet e ripranimit me vendet e treta. Europa duhet ta kuptojë që po të bllokohen në Greqi refugjatët, do të gjejnë rrugë të tjera. Prandaj këmbëngulim për një zgjidhje europiane”, tha ministri i jashtëm grek, duke theksuar që nëse Europa nuk e zgjidh këtë problem, do të ketë vetë ajo problem identiteti dhe ekzistence.
Tribuna
Ndaje me miqte