0030 210 33 18 483

Kotzias e Bushati do të takohen në Kretë në nëntor

Tribuna 19 Tetor 2017

Ministrat e jashtëm të Greqisë dhe Shqipërisë do të takohen muajin e ardhshëm, me qëllim gjetjen e pikave të takimit dhe mundësisht zgjidhjen e çështjeve të mprehta ndërmjet të dy vendeve. Lajmi është bërë i ditur të mërkurën në mbrëmje nga portali i të përditshmes greke Kathimerini. Sipas Kathimerini, ministri i jashtëm grek, Nikos Kotzias do të takohet me homologun e tij shqiptar Ditmir Bushati, me gjasë në ishullin e Kretës. Ata do të zhvillojnë “bisedime shterruese”, -sipas gazetës- deri sa të shënohet progres në disa prej çështjeve problematike. Kathimerini vë në dukje se për palën greke, përtej të drejtave të minoritetit grek në Shqipëri, shumë lart në axhendë gjendet marrëveshja e rrëzuar për zonat detare, si dhe çështja e ndërtimit të varrezave për ushtarët e rënë gjatë luftës italo-greke. Sa i përket palës shqiptare, Kathimerini thotë se dy janë çështjet kryesore: shfuqizimi i ligjit për gjendjen e luftës dhe heqja e vulës apostile. Për këtë të dytëmn, Kathimerini nënvizon se mund të jetë një çështje e profilit të ulët, por ka të bëjë me qëndra mijëra emigrantë shqiptarë në Greqi. Gazeta greke nuk sqaron se cili pritet të jetë qëndrimi i Athinës për këto dy çështje, por nënvizon se Athina e ka bërë të qartë se nuk pranon të diskutohet çështja çame dhe sidomos nuk pranon ndërlidhjen e kësaj çështjeje me ligjin për gjendjen e luftës. Kathimerini komenton se zhvillimet praktike në marrëdhëniet midis Greqisë dhe Shqipërisë imponojnë forcimin e mëtejshëm të këtyre marrëdhënieve. Ndër këto zhvillime praktike gazeta greke përmend procesin e anëtarësimit të Shqipëërisë në BE si dhe faktin se, madje dhe në vitin 2017 Greqia është investitori i parë i huaj në Shqipëri, me 1,27 miliardë euro për gjashtëmujorin e parë të këtij viti. Mirëpo Kathimerini shënon në fund se Athina nuk ka asnjë iluzion për vijën e ashpër nacionaliste që po mban kryeministri shqiptar Edi Rama.

Ndaje me miqte