Kotzias kritikon qeveritë e mëparshme greke për integrimin euroatlantik të Shqipërisë
TRIBUNA
07 Dhjetor 2016
Ministri i jashtëm grek, Nikos Kotzias, ka kritikuar qeveritë e mëparshme, pse sipas tij kanë miratuar pa kushte anëtarësimin e Shqipërisë në NATO dhe marrjen e statusit të vendit kandidat për anëtar i Bashkimit Europian.
Kotzias i është përgjigjur me një letër kërkesës së deputetëve të opozitës për interpelancë lidhur me zhvillimet e fundit në marrëdhëniet e Athinës me Tiranën.
“I garantoj deputetë se, qeveria aktuale nuk ka për të përsëritur gabimet e qeverive të mëparshme greke”, nënvizon Kotzisas në letrën e tij.
Sipas ministrit, gabimet e qeverive të mëparshme konsistojnë në dhënien e dritës jeshile Shqipërisë për anëtarësimin në NATO dhe për statusin, “pa marrë asnjë shkëmbim, edhe pse vendi fqinj nuk kishte përmbushur tërësinë e kushteve të nevojshme dhe para së gjithash atë që ka të bëjë me mbrojtjen e të drejtave të minoriteteve”.
Kotzias vë në dukje se problemet lidhur me të drejtat e minoritetit dhe të drejtën e pronës, vazhdojnë të jenë probleme që Shqipëria ishte ftuar t’i zgjidhte që para dhënies së statusit të kandidatit për anëtarësim.
“Ky status iu dha Shqipërisë në qershor 2014, gjatë bashkëqeverisjes së Demokracisë së Re me PASOK-un”, nënvizon ministri i jashtëm grek dhe shton: “Nga 12 prioritetet kyçe që ishin vënë nga viti 2010 si kushte për hapjen e negociatave të anëtarësimit, mbrojtja e të drejtave të minoritetit dhe e zbatimit të së drejtës së pronës përbën edhe sot një nga pesë prioritetet kyçe” për Shqipërinë.
Më tej, Kotzias vë në dukje se dikasteri që ai drejton “vazhdon të promovojë në gjirin e Bashkimit Europian qëndrimet greke në kuadër të marrëdhënieve BE-Shqipëri dhe si rezultat janë arritur artikulime veçanërisht të rëndësishme në konkluzionet e këshillit të ministrave të jashtëm, që është dhe organi më kompetent”.
Ndër këto ndërhyrje, Kostzias përmend referimet për shmangien e deklaratave që dëmtojnë marrëdhëniet e fqinjësisë së mirë, si dhe për mbrojtjen e gjithë të drejtave të minoriteteve, siç parashikohen në Konventën Europiane për të Drejtat e Njeriut.
Letra e Nikos Kotzias i adresohet ish ministres së jashtme Dora Bakojanis dhe deputetëve të tjerë të partisë më të madhe opozitare, Demokracia e Re. Ata kishin kërkuar interpelancë me ministrin Kotzias menjëherë pas publikimit të rekomandimit të Komosionit Europian për hapjen e negociatave të anëtarësimit me Shqipërinë.
Bakojanis e kishte interpretuar rekomandimin si një humbje diplomatike të qeverisë greke, pse sipas saj, në raportin e Brukselit nuk kishte asnjë referim “ndaj qëndrimit provokativ të palës shqiptare në çështje të rëndësishme si pretendimet për çështjen çame apo mbrojtja e pamjaftueshme e të drejtave të minoritetit grek në Shqipëri”.
Ndaje me miqte