Kotzias përshëndet vendimin për varrezat greke
Tribuna
18 Dhjetor 2017
Ministri i jashtëm grek, Nikos Kotzias, ka përshëndetur vendimin e qeverisë shqiptare për varresat e ushtarëve grekë, duke e cilësuar si një “hap shumë pozitiv të besimit ndërmjet dy vendeve”.
Kotzias e ka ndërlidhur këtë vendim me një ngjarje të dy viteve më parë, kishën e Shën Thanasit në Dhërmi e cila, sipas tij, “u shemb dhe tani po rindërtohet me fondet e qeverisë shqiptare”.
“Besoj se vendimi që u mor më 13 dhjetor dhe u publikua dje, sipas të cilit rregullohen çështjet e varrezave të ushtarëve grekë, përbën një hap kolosal edhe për t’u qetësuar shpirti i të rënëve - siç thotë populli. Por edhe një hap i besimit ndërmjet të dy vendeve tona”, deklaroi Kotzias.
Ministri i jashtëm grek u pyet për këtë zhvillim gjatë konferencës për shtyp me homologun e tij afgan që po viziton Athinën.
Në vazhdim të komentit për vendimin e Tiranës, Kotzias vërejti se “diplomacia mund të arrijë shumë më tepër nga sa britmat boshe të protestës”.
“Diplomacia është rruga për të zhvilluar pozitivisht marrëdhëniet tona me fqinjët dhe qeveria jonë dhe unë personalisht, kemi zgjedhur këtë rrugë”, tha ministri i jashtëm grek.
Qeveria shqiptare, në mbledhjen e saj të fundit, më 13 dhjetor, miratoi vendimin mbi zbatimin e marrëveshjes midis Shqipërisë dhe Greqisë “për kërkimin, zhvarrimin, identifikimin dhe varrimin e ushtarëve grekë të rënë gjatë luftës italo-greke dhe për ndërtimin e vendprehjes për ta brenda territorit të Republikës së Shqipërisë”.
Ndaje me miqte