0030 210 33 18 483

Kretë vandalizma në shkollën ku bëhen mësimet e gjuhës shqipe. Cila ishte përgjigjja e shoqërisë vendase dhe e komunitetit shqiptar

Robert GORO 12 Shkurt 2018

Në Chania të Kretës është zhvilluar edhe këtë dielë mësimi i gjuhës amtare për fëmijt e emigrantëve shqiptarë që jetojnë në atë pjesë të ishullit grek. Por nisja e mësimit ka qenë e vështirë për shkak të vandalizmave që kishin kryer kundërshtarët e kësaj iniciative. Siç raporton televizioni publik ERT, mesnatën e të shtunës persona të panjohur kishin hedhur vajra makinash në mjediset e shkollës dhe kishin kyçur me dryna dyert e klasave, duke tentuar në këtë mënyrë të pengonin zhvillimin e mësimit. Por ata janë ndeshur me reagimin e fuqishëm të pjesës më të madhe të shoqërisë vendase dhe të autoriteteve lokale, si dhe të komunitetit shqiptar që jeton e punon në atë qytet. “Megjithë këtë akt të pamoralshëm”, nënvizon televizioni publik grek, “më shumë se 40 vogëlushë shqiptarë e bënë normalisht mësimin e tyre, ndërsa në oborrin e shkollës ishin mbledhur arsimtarë, përfaqësues të institucioneve dhe të komunitetit shqiptar, që shprehën mbështetjen e tyre ndaj kësaj të drejte të pamohueshme të fëmijve të emigrantëve”. Në muret e shkollës ishin shpalosur banderola ku shkruhej: Jo ksenofobisë, racizmit dhe fashizmit”, apo “Shkolla të hapura për të gjithë fëmijët. Jo racizmit dhe neonazistëve”. Antonis Vardakis, shef i departamentit të arsimit në bashkinë Chania, tha se mësimet do të vazhdojnë. "Mësimet do të vazhdojnë në këtë shkollë. Ky është vendim i këshillit bashkiak. Fëmijtë janë brenda në klasë dhe po zhvillojnë mesimin e tyre" Që prej muajit të kaluar, kur filluan mësimet në gjimnazin Nr. 1, ka pasur vazhdimisht incidente, shkaktuar prej një pakice që përpiqej të pengonte mësimin e gjuhës shqipe në ambientet e shkollës. Kryetari i Komunitetit të Shqiptarëve në Chania, Afrim Avdiaj, e ka përballuar gjithë këtë situatë të vështirë me stoicizëm dhe maturi. Duke foluar për mediat vendase, zoti Avdiaj fillimisht falënderoi pjesën më të madhe të shoqërisë vendase dhe autoritetet për mbështetjen e vazhdueshme ndaj kësaj iniciative. “Ne kemi vetëm qëllimin e mirë që fëmijtë tanë të mësojnë gjuhën amtare. Ne çdo herë do ta dorëzojmë shkollën të pastër. I kemi dhënë fjalën drejtorit të gjimnazit se gjithë meremetimet që ka nevojë shkolla do t’i marrim përsipër ne, komuniteti shqiptar. Sot këtu janë regjistruar 45 fëmijë në mësimin e gjuhës shqipe. Ndoshta për shkak të ngjarjeve të fundit disa prindër mund të ngurrojnë që t’i sjellin fëmijtë, por besoj se gjithçka do të shkojë mirë” Serafim Rizos, kryetar i sindikatës së arsimtarëve të Chaniasë, i jep një dimension tjetër mbështetjes së të drejtës së fëmijve për mësimin e gjuhës amtare. “Sot ne izoluam një minorancë, e cila kreu vandalizma në shkollë, me qëllim që të pengonte zhvillimin e mësimit. Sot i dhamë një shuplakë të fuqishme fashizmit, racizmit, Agimit të Artë dhe bashkudhëtarëve të tyre” Sipas kryetarit të Komunitetit Shqiptar, Afrim Avdiaj mësimet e gjuhës shqipe në gjimnazin Nr. 1 të Chaniasë do të zhvillohen çdo të diel, nga ora 17:00 deri në 19:00.

Ndaje me miqte