0030 210 33 18 483

Kriza greke ende pa marrëveshje. Shtohet rreziku i daljes nga euro

26 Qershor 2015

Greqia dhe kreditorët ende nuk kanë mundur të arrijnë një marrëveshje për borxhin grek, pavarësisht një serie takimesh të nivelit të lartë. Edhe pse më herët ishte shprehur i sigurt për arritjen e një kompromisi kryeministri Aleksis Tsipras dështoi të enjten të konkludonte në një akord me kreditorët e Greqisë, ndërsa një tjetër takim i ministrave të financave të Eurozonës u ndërpre, pa shënuar progres. Qeveria greke përballet me pamundësinë e kryerjes së një pagese prej 1,6 miliardë eurosh kundrejt FMN-së, të martën e ardhshme, më 30 qershor. Pas takimit të liderëve të Bashkimit Europian, të enjten në Bruksel, kancelarja gjermane, Angela Merkel deklaroi se bisedimet nuk po shpinin asgjëkundi. “Ende nuk kemi bërë progresin e nevojshëm, madje në disa pika duhet se janë bërë hapa mbrapa”, u tha Merkel gazetarëve. Nëse Greqia dështon të kryejë pagesat e veta, do të mund të dilte nga Eurozona, gjë që do të shkaktonte pasoja për pjesën tjetër të Europës dhe ekonominë botërore, vlerëson BBC. Vetëm nëse arrihet marrëveshja, kreditorët (Komisioni Europian, Banka Qendrore Europiane dhe Fondi Monetar ndërkombëtar) do të zhbllokojnë këstin e fundit, me vlerë 7,2 miliardë euro nga fondet e shpëtimit. Pas takimit të ministrave të financave të Eurozonës, ku nuk pati marrëveshje, shefi i Eurogrupit, Jeroen Dijsselbloem, tha se ende nuk ishte shumë vonë që Greqia të pranojë propozimet e kreditorëve ndërkombëtarë. Ishte takimi i katërt i ministrave të financave brenda një jave, në një përpjekje që të evitohet një falimentim i Greqisë. Ministrat do të takohen sërish të shtunën. Një diplomat i BE i tha BBC se në takimin e të shtunës duhet të merret një vendin, “Po apo jo”. Të premten, komisioneri Gunther Oettinger deklaroi se dalja e Greqisë nga Eurozona do të jetë e pashmangshme, po të mos arrihet marrëveshja deri më 30 qershor. “Do të bëjmë gjithçka deri më 30 qershor, me qëllim që grekët të dëshmojnë se janë të gatshëm për reforma. Një Grexit (dalje e Greqisë nga Eurozonëa, shënim i tribna-news), nuk është objektivi ynë, mirëpo do të jetë i pashmangeshëm nëse nuk ka zgjidhje brenda pesë ditëve të ardhshme”, paralajmëroi komisioneri duke folur në radion gjermane Deutschlandfunk. Qeveria greke ka kritikuar kreditorët ndërkombëtarë për refuzimin e propozimeve të Athinës, të cilat fillimisht i kishin mirëpritur. Shefja e FMN, Christine Lagarde tha se kreditorët ishin paraqitur me një kundër-propozim të palës greke, “momentin e fundit” dhe se nevojiteshin më shumë kohë për t’u shqyrtuar, sipas agjencisë Reuters. FMN ishte veçanërisht i ashpër në refuzimin e propozimeve greke, në fillim të javës. Korrespondentët thonë se projekti grek përmban më shumë rritje tatimesh dhe shumë më pak reduktime shpenzimesh, nga sa kanë propozuar kreditorët. Tribuna

Ndaje me miqte