0030 210 33 18 483

Ku duhet të aplikoni nëse nuk keni patur kurrë leje qëndrimi .Si do të informoheni për fatin e aplikimit

06 Nentor 2015

Të dashur miq. Që kur filloi zbatimi i ligjit të ri për emigracionin, nuk kanë rreshtur mesazhet tuaja në inbox, por edhe në emailin e gazetës. Gjithashtu, nuk po rreshtin edhe telefonatat, të cilat duhet thënë se bëhen madje edhe në orët e vona të natës, në kohën kur supozohet se njerëzit pushojnë pas punës së lodhshme të ditës. Prandaj e pamë të arsyeshme që fillimisht të bëjmë një sqarim, dhe do t’ju luteshim të lexonit me kujdes deri në fund: Duhet t’ju themi se ne jemi vetëm gazetarë, që përpiqemi t’ju ofrojmë një informacion sa më të saktë e të kualifikuar, t’ju lehtësojmë sadopak në rrugën e vështirë të pajisjes me dokumente qëndrimi. Nuk jemi as avokatë dhe as ekspertë emigracioni. Ne marrim pyetjet tuaja, i konsultojmë kryesisht me zotin Fatos Malaj që është një njohës mjaft i mirë i këtyre problemeve, me të cilat ndeshet përditë në qendrën e shërbimit të emigrantëve në Athinë, ku është ndërmjetës ndërkuluturor. Dhe pastaj publikojmë përgjigjet e atyre pyetjeve. Këtu përfundon puna dhe misioni ynë. Në Tribuna të gjithë punojmë vullnetarisht siç e keni konstatuar. Kjo presupozon që nuk jemi ekskluzivisht në dispozicionin tuaj, në çdo moment që ju të keni nevojë. Ne do të vazhdojmë të përpiqemi për të bërë gjithmonë më të mirën sa i përket informimit të lexuesve, por kërkojmë edhe mirëkuptimin tuaj. Kaq sa i përket sqarimit dhe tani ju përcjellim dy informacione tepër të rëndësishme. 1.Ku duhet të aplikoni nëse nuk keni patur kurrë leje qëndrimi Për këtë kategori emigrantësh aplikimi për leje të jashtëzakonshme bëhet vetëm në ministrinë e brendshme. Zyra përkatëse ndodhet në Pire, në adresën Agiu Dionisiu 5. Tel.: 2104141641 dhe 2104141671. Fax: 2131361239 Email: t.gypp@ypes.gr 2.Si do të informoheni për fatin e aplikimit tuaj, për çdo lloj leje qëndrimi Hapi 1: Futeni në adresën e internetit www.ypes.gr dhe poshtë fare do të kërkoni kutinë “PORIA FAKELU POLITI TRITIS HORAS” ose futuni direkt në adrsën http://pf.emigrants.ypes.gr/pf Hapi 2: Plotësoni me radhë siç ju kërkohet: MBIEMRI NR. PASAPORTES RISHKRUANI KODIN QE KA DALE TE FAQJA Hapi 3: Shtyp ANAZITISI Hapi 4: hapet faqja tjetër, dhe aty do të gjeni: emrin dhe mbiemrin, në kutinë 5 tipin e lejes së qëndrimit për të cilën keni aplikuar dhe në kutinë 6, Në ç’fazë ndodhet aplikimi. Domethënë, nëse po shqyrtohet, ka dalë leja e qëndrimit, etj. Nëse shkruan se kërkesa po shqyrtohet, atëherë nuk keni ç’të bëni tjetër veçse të prisni. Nëse thotë se leja është miratuar apo ka dalë, dhe nuk keni marrë njoftim, atëherë duhet të shkoni vetë në shërbimin ku keni bërë aplikimin dhe të merrni lejen për të cilën aplikuat. Tribuna

Ndaje me miqte