0030 210 33 18 483

&ldquoKur e vërteta vjen nga larg&rdquo libri i ri i gazetarit Robert Goro

14 Shkurt 2017

Një atentat ndaj korrespondentit të BBC në Athinë; kërcënime për gazetarët dhe akuza qeveritare ndaj BBC gjatë ngjarjeve të 1997-s në Shqipëri; “trimat e Arkanit” që kërkojnë gazetarët e BBC në Prishtinë, më 24-25 mars 1999; vdekje të dyshimta gazetarësh gjatë Luftës së ftohtë, vrasje, rrëmbime, intimidime gazetarësh në ditët tona. Gjithë këto janë dekori (paralelisht me zhvillimet historike), që shoqëron hulumtimin e gazetarit Robert Goro mbi rolin e radiove të mëdha ndërkombëtare (BBC, Zëri i Amerikës, Deutsche Welle, Free Europe), në promovimin e lirisë e të demokracisë. Një rol vendimtar, me dritëhijet e domosdoshme, por që vërteton aksiomën se përkushtimi i gazetarëve ndaj të vërtetës ka një çmim të shtrenjtë, që jo rrallë, mund të paguhet edhe me jetë. Libri është i ndarë në dy pjesë. Në të parën, “Një dashuri me emrin BBC”, autori hedh një vështrim të shpejtë historik, që nga fillimet e shërbimit shqip të BBC-së, shkëlqimin e veçantë gjatë dy dekadave të veprimtarisë, deri në momentin e mbylljes, më 28 shkurt 2011. Edhe pse punoi për 18 vjet rrresht në BBC, Goro flet pak vetë, ndërkohë që u lë hapësirë të konsiderueshme ish-kolegëve, të cilët, nëpërmjet përjetimeve vetiake shtjellojnë arsyet e suksesit të BBC në Shqip, radios që sipas politologut Afrim Krasniqi “solli Perëndimin e munguar në Shqipëri”. Në pjesën e dytë, të titulluar “RFE, media e lirë në shoqëritë pa liri”, Goro prezanton radion Europa e Lirë, (që u themelua në 1949 për të sfiduar propagandën komuniste), duke sjellë dhe materiale arkivore mjaft interesante nga periudha e parë, siç është raporti për Mehmet Shehun në 1954. Në këtë pjesë, autori merret më shumë me veprimtarinë e kësaj radioje në ditët e sotme, duke u fokusuar më tepër në zonat me tensione të larta. Edhe këtu, Goro përdor intervistat me protagonistët për të na dhënë një pamje mjaft të qartë të vështirësive që ndeshin gazetarët e terrenit, madje edhe në vende që teorikisht konsiderohen demokratike. Siç vëren në parathënien e tij eksperti i njohur i medias, Remzi Lani, “ ky është një libër për radiot që gjatë çerekshekullit të fundit kanë transmetuar në gjuhën shqipe, duke luajtur një rol të pazëvendësueshëm në pasqyrimin e jetës shqiptare gjatë kësaj periudhe të rëndësishme të historisë”. “Në rreth 200 faqet e librit të tij, Robert Goro tregon para së gjithash historinë e BBC në gjuhën shqipe, që për të është sigurisht edhe një histori personale. Si një nga gazetarët e BBC në Shqip, Goro sjell dëshmi interesante të punës së tij dhe të ekipit shqiptar të BBC gjatë krizës së vitit 1997. Në kushtet e gjendjes së jashtëzakonshme dhe të censurës zyrtare, mes rreziqesh dhe kërcënimesh të shumta, BBC në Shqip u bë burimi i pazëvendësueshëm i informacionit për publikun në Shqipëri gjatë atyre javëve dramatike” Sipas Lanit, “një faqe tjetër e paharruar e BBC në Shqip është mbulimi nga ekipi i saj i Luftës së Kosovës; mbijetesa e ekipit kurajoz të gazetarëve të Prishtinës në kushtet e dhunës dhe censurës së regjimit të Milosheviçit. Ndërthurja e historive personale të gazetarëve të BBC me historinë e gjithë shqiptarëve, jo vetëm që e bëjnë më interesante dëshminë e Goros, por e bëjnë atë edhe më të besueshme”. Gjithsesi, thekson Remzi Lani, “ky libër nuk është as vetëm një histori shqiptare apo ballkanike, dhe as vetëm një libër për BBC-në. Me ndershmëri profesionale dhe pa as më të voglën xhelozi, autori i kushton faqe të librit historisë dhe rolit të Zërit të Amerikës në gjuhën Shqipe; po ashtu, nuk heziton të shkruajë për kontributin e Deutsche Welle ne Shqip”. “Ndër faqet më interesante të këtij libri janë pa dyshim ato që i kushtohen Radios Europa e Lirë. Autori i largohet qëllimisht Ballkanit për ta çuar lexuesin larg, në Pakistan, Afganistan apo Azerbajxhan, duke shpalosur histori kolegësh që raportojnë nën kërcënimin e ekstremistëve, apo nën censurën e diktatorëve”. Duke përfunduar parathënien e librit të ri të Robert Goro, Remzi Lani shënon: “Ky është më shumë një libër për të vërtetën. E kam fjalën për të vërtetën si arsye të ekzistencës së vetë gazetarisë. Sot, kur debati për atë që u shpall si fjala e vitit 2016 - post truth -, i ka përfshirë të gjithë, ky libër i shkruar me elegancë nga një gazetar i racës, na sjell dëshmi të panumërta të gazetarëve që kërkojnë të vërtetën, që rrezikojnë për të vërtetën, që raportojnë të vërtetën. Në këtë kuptim, unë besoj se libri i Goros kontribuon në këtë debat, duke shërbyer edhe si një manual për marrëdhëniet e gazetarisë me të vërtetën”. Mbi autorin Robert Goro e nisi rrugëtimin profesional si gazetar në mesin e viteve 1980, në revistën “Hosteni”. Për 18 vjet, nga 1993 deri më 2011, punoi si korrespondent i seksionit Shqip të BBC-së në Athinë dhe më pas për televizionin ABC NEWS, ku veç të tjerash realizoi emisionin “Dosja G”. Nga 2004 krijoi dhe vazhdon të drejtojë gazetën “Tribuna”. Ka botuar: Letërsi: “Takohemi pasdite” -tregime (1990) dhe “Një këngë për Edith Piafin” -roman (2000). Publicistikë: “FYROM, supremacia e inferioritetit” (2001); “Dosja 1990-1991” (2004) dhe “Athinë-Tiranë, ditari i krizave” (2010). Përmbajtja e librit PJESA I: NJE DASHURI ME EMRIN BBC I. Atentat në Athinë, ditën e Shën Valentinit II. Ditët e zjarrta të ’97-s; BBC në “bankën e të akuzuarve” Të raportosh me kokën në torbë Kujdesi për korrespondentët BBC që zhgënjen qeveritë “Kur nuk e kupton BBC-në, e pëson...” III: “OKB e gazetarisë botërore” Bush House, memoriali i luftës dhe i paqes “Ju flet Londra”, për herë të parë në shqip “Thyerja e akullit informativ” Një shock kulturor e profesional Gjithmonë e më pranë dëgjuesit Përherë në burimin e lajmit IV. BBC në Kosovë, “Ikonë e informimit dhe e shpresës” Një luftë e heshtur që më në fund shpërtheu BBC, burimi kryesor i informimit Korrespondentët e huaj, “preja” e preferuar e policisë Masakra që vendosi fatin e Kosovës Bombardimet; gazetarët e BBC, “dy herë armiq” Nga Liria te Pavarësia V. Në Maqedoninë e sfidave ekzistencialiste Shkupi akuzon BBC-në se “ndihmon rebelët” Një fillim i vështirë Sfida e paqes së kërcënuar VI. 2011, fundi i një epoke INTERMEXO: KOHA E RADIOS DHE MESAZHET E LIRISE “E tha Zëri i Amerikës” Udhërrëfyes drejt demokracisë Lufta e përditshme për pavarësinë Deutsche Welle, “Vala Gjermane” me gazetarinë e përgjegjshme PJESA II: RADIO FREE EUROPE, “MEDIA E LIRE NE SHOQERITE PA LIRI” I. E kaluara e RFE/RL, mes “mëkatit” dhe lavdisë Fillimet dhe raportet për Shqipërinë Sfiduesit e territ informativ Mision i papërfunduar II. “Doctor No” kundër RFE Jetët e humbura për hatër të ausheskut... Vrasja me ombrellë, që mbeti përjetë mister... III. Khadija Ismayilova, ose fjala e lirë kundër “diplomacisë së havjarit” Siguria e atletëve dhe “sporti i vështirë” Gazetarja Ismayilova, simboli i zërit të panënshtrueshëm “Vështirë të jesh gazetar i mirë dhe të mbijetosh...” Të drejtat e njeriut në altarin e interesave “Diplomacia e havjarit” që i mbyll gojën Europës... IV. “Zëri i njerëzve pa zë” në Pakistan Gazetarët, të ekspozuar para çdo rreziku mimi i të vërtetës dhe shpërblimi Portali i vogël që bën punë të madhe Superpushteti i ushtarakëve Shpresa të vrara... Një demokraci vetëm në letër V. Afganistani në një luftë të mbaruar, por të papërfunduar Talibanët dhe vizioni për shtetin më islamist në botë “U vranë pse dëgjonin BBC dhe Zërin e Amerikës”... Media, “relativisht e lirë” VI. RFE në Ballkan, “një radio jo e mirë për nacionalistët” “Ura” që mëton sheshimin e mërive të vjetra Mars 1999, RFE në Kosovë, për Kosovën Dashuri në kohën e luftës: E nesërmja që erdhi pas 74 ditësh... “Më afër qytetarit, më pak akademikë”

Ndaje me miqte