0030 210 33 18 483

&ldquoKur e vërteta vjen nga larg&rdquo rruga e gazetarit Robert Goro

Miho GJINI 03 Prill 2017

Duke lexuar librin memorialistik “Kur e vërteta vjen nga larg” të gazetarit Robert Goro, të shkruar me profesionalizm dhe në një stil tërheqës, zaptuar nga emocionet e forta të një logjike skrupuloze, bindesh menjëherë se sa të drejtë kishte Gabriel Garsia Marquez kur shkruante se “gazetaria është profesioni më i bukur në botë, që ushqehet nga paparashikueshmëria e jetës”. Por Robert Goro na siguron e na befason për gjithë ato vështirësi e Rreziqe të gjithanshme që e rrethojnë jetën e një gazetari të përkushtuar, kur ai e do këtë profesion deri në vetmohim... Në këtë libër ballafaqohemi me një gazetari dinjitoze në median e folur e atë të shkruar, që sjellë para nesh një manual me “shkëndija jete” dhe vlerë profesionale, njëherësh edhe historiko-letrare. Po edhe një libër qe lexohet me ëndje, nga ata që e fillojnë librin e nuk e lëshojnë dot nga dora, jo vetëm prej një gazetari, po edhe prej atyre njerëzve të thjeshtë, nga ata të paktët që sot lexojnë- Se ka edhe një veçori tjetër ky himarjot që e ka shtëpinë aty, në bregun e detit të thepisur, ku janë “ngulur” shkëmbinjtë shekullorë, që i rrahin dallgët e detit përjetësisht e kur pushojnë, shfaqen aty “vajzat e valëve” të Neço Mukos e të Lefter ipës për të pritur kurbetllinjtë.. Se këtu ështe rritur ai, Robert Goro, i cili mësoi të eci, të flasë e të shkruajë, derisa arriti të bëhet poet, shkrimtar e gazetar, me mikrofonin e BBC-së në Londër, kryeredaktor i “Gazetës së Athinës” dhe më pas themelues e botues i gazetës “Tribuna”, po në Athinë. Po, duke lexuar edhe ciklet e tij poetike, librin me tregime “Takohemi pasdite”, romanin “Një këngë për Edith Piafin”, dhe katër libra me publicistikë, do të “peshojë” ca më tepër rëndesa e një publicisti dinjitoz të dimensioneve europiane. Tek dëgjon zërin e Robert Goros nga valët e radios apo nga ekrani televiziv, dhe duke lexuar shkrimet e tij publicistike në shtypin e shkruar, bindesh për kulturën e akumuluar, dijet e gjithanshme e përvojën e tij profesionale, qysh kur nisi punën e redaktorit në revistën “Hosteni”, në vitet ‘80- të të shekullit te kaluar e më pas. Gjithmonë i saktë në informacionet, rubrikat e analizat e tij, plot vërtetësi, konciz e komunikativ. Di ta përdorë argumentin me logjikë të ftohtë dhe emocione të ngrohta- Mbaj mënd tek intervistonte arvanitasin e thekur, shkrimtarin e botuesin Aristidh Kola në Athinë, se si i ndrisnin sytë e i vibronte zëri i kadifenjtë, gjithmonë depërtues te i intervistuari dhe sugjestiv tek dëgjuesi. Në këtë kohështrirje të valëve të BBC, për 18 vjet me radhë që nga 1993 deri më 28 shkurt 2011, kur valët e saj në gjuhën shqipe nuk do të dëgjoheshin më, kontributi i Goros do të ishte fort aktiv dhe i një publicistike të rrallë e fort të guximshme, duke hequr këtu edhe privacione të ekzistencës së vet e të familjes së tij. Për këtë njeri, që e kishte dhe e ka në gjak gazetarinë, BBC ishte e mbeti për një obligim e “dashuri e madhe” dhe e paanë, që pati dëgjues të shumtë, përkushtim, profesionalizëm të nivelit të lartë, tok me rreziqet që përcillte për gazetarët e saj të kudondodhur, midis të cilëve do të shquhej edhe Robert Goro- Nëpërmjet librit të tij, Goro na rikujton 97,-ën e tmerrshme, kur vërshëllenin plumbat në atë kaos ku u ndodh vëndi ynë dhe gazetarëve të BBC u duhej të viheshin edhe “kundër rrymës”, apo më pas, për të “thyer akullin informativ”, për të qenë përherë “ikonë e informimit dhe e shpresës”. Gjithmonë “në burimin e lajmit”, të shpejtë, të saktë, koncizë, emocionalë, herë nëpër “flakë e betejë”, herë midis rebelëve e militantëve të të gjitha ngjyrave që sajuan atë anarshi. Ne palcë të dimrit e ne piskun e vapës, në shi e në dëbore, apo kur “pëlcet edhe guri”, Robert Goro do të percillte zërin e së vërtetës, për ta dërguar tepër larg e për t’u shpërndarë në shpirtin e njerëzve që prisnin e prisnin në atë “terr informativ”, kur nëpër rrugët tona “vërshëllenin” “plumbat qorrë”! Dhe kështu, si e përshkruan me besnikëri veprimtarinë e radiove “të huaja” si, BBC, “Zëri i Amerikës”, “Deutsche Welle” e RFE , do të bëheshin shumë të afërta për shqiptarët. Dhe jo vetëm për shqiptarët, po kudo nëpër Ballkanin e “ndezur nga baruti!”, në Afganistan, Pakistan, Azerbajxhan e Armeni, që kërcënoheshin nga diktaturat e kohëve tona. Po Robert Goro është përherë i rrethuar nga kërshëria e paduruar dhe e etur e njerëzve që e kanë pritur zërin e tij në çaste e ditë të vështira. Duke shkaktuar e ngritur lart ndjenjën e lirisë, të triumfit të drejtesisë, të së mirës e të së bukurës. Dhe zëri i tij nuk ka qenë kurrë i vetëm në këto valë prestgjioze, që dikur dëgjoheshin fshehtazi, në ditë e netë të errëta. Ai është e mbetet si një “pishtar” dhe pjesë e një ekipi të rëndësishm të BBC-së, ku rolin e vet e ka parë në unison me vlerat e sakrificave të kolegve që “raportonin me kokë në torbë”, si Aleksandër Furxhiu nga Vlora e Aleksandër ipa nga Gjirokastra, si Ilir Kadia nga Tirana, Lushnja, e rrethe të tjera, gjatë trazirave të 97,-ës. Dhe përcjellja e zërit të tyre nga redaksia në Bush House në Londer, ku përkujdesej Tim Cooke e Julia Goga, “ngrinte peshë” vetëdijen e njerëzve në krejt Ballkanin që “ziente” nga trazirat më të rrezikshme që kanë parë këto anë, ku koka e këtyre gazetarve qe përhere si në trungun e gijotinës! Përmes ngjarjesh të tilla, të pasqyruara në këtë libër me besnikeri, autencitet, vërtetësi, me paanshmëri, Robert Gorua është personazhi kryesor i një subjekti real, me përmbajtje dramatike e me konflikte të dimensioneve të mëdha. Aty është vetautor, vetaktor dhe një vetregjisor i shkëlqyer. Terreni i veprimit është si një teatër i vërtetë lufte, ku paraqiten të dyja anët ekstreme: jeta me vdekjen, që ndërthuren e përplasen, po zëri, imazhi dhe mesazhi, ikin dhe fiksohen në eter, për t’u shpërndarë e për t’u bërë pjesëzë a jehonë valësh për të gjithë. Pra, kemi të bëjmë këtu me një rol të shumfishtë, të kthyer në mision aktiv: edhe tek të tjerët, që shumëfishohet në një progres gjeometrik të pallogaritshëm shpresëdhënës. Robert Goro përmend me dashuri në librin e vet të gjithë kolegët e Londrës, ashtu edhe ata që lëviznin në terren, duke sakrifikuar veten me ndërgjegje të plotë. Pa lënë mënjanë rolin e madh të “Zërit të Amerikës”, të “Deutsche Welle-s” dhe të Radios Europa e Lirë , kundër “territ informativ” që ishte aq i dëndur. Vetëm episodi i Khadija Ismayilovës, nga ditët e vështira që kalonte Azerbajxhani, është një rrëfim tronditës, tepër dramatik, i shtypjes së fjales së lirë në regjimet despotike, për të thënë se sa “vështirë (është) të jesh gazetar i mirë dhe të mbijetosh-”. Robert Goro e boton këtë libër përsëri në një kohë të vështirë, kur media e shkruar dhe e folur është rishtazi në shenjestër, që vazhdimisht anatemohen, të ndodhura përherë midis “zjarresh” të partive të shumta që “gëlojne” e shpesh u vërsulen gazetarëve, këtyre heronjve të vërtetë të çdo kohe...

Ndaje me miqte