Kush ishte Andreas Lubitz piloti që mori në qafë 149 jetë njerëzish
27 Mars 2015
KELN (Gjermani)/ - Nuk ekziston asnjë tregues për arsyet që e kanë shtyrë bashkëpilotin e Airbusit A320 të kompanisë gjermane ”Germanwings” të shkaktojë rrëzimin e avionit, deklaroi sot Carsten Spohr, kreu i ”Lufthansa”-s, kompania kryesore nga e cila varej ”Germanwings”.
“Edhe në endrrat më të këqija, nuk do të kishim mundur ta imagjinonim që një tragjedi e tillë mund të ndodhte në kompaninë tonë”, theksoi kreu i ”Lufthansa”-s në një konferencë shtypi.
“Ne jemi të tronditur këtu tek ”Lufthansa” dhe ”Germanwings”, nënvizoi presidenti i kompanisë.
“Ne nuk kemi asnjë tregues për shkaqet që e kanë shtyrë pilotin të kryejë këtë akt të tmerrshëm”, nënvizoi Spohr, dy orë pasi drejtësia franceze zbuloi se bashkëpiloti, Andreas Lubitz, 28 vjeç, ka shkaktuar pa asnjë dyshim në mënyrë të qëllishme rrëzimin e avionit që u aksidentua të martën në Alpet franceze, me 150 persona në bord.
“Ne vetëm mund të dyshojmë mbi motivacionet e pilotit për momentin”, shtoi kreu i kompanisë.
“Asnjë sistem në botë nuk mund ta pengojë një akt të tillë të bashkëpilotit”, nënvizoi ai.
“Kushdo qofshin masat e sigurisë që mund të kemi në një kompani, kushdo qofshin procedurat shtrënguese, asgjë nuk mund të pengojë një akt të tillë të izoluar”, theksoi ai.
Kreu i ”Lufthansa”-s, edhe vetë ai ish-pilot, këmbënguli mbi formimin që kishte, që prej vitit 2008, Andreas Lubitz.
Në vitin 2008 ai ndërpreu trajnimin për disa muaj, gjashtë vjet më parë për një arsye që Spohr theksoi se nuk kishte të drejtë ta zbulonte.
”Por më pas, bashkëpiloti kishte kryer menjëherë të gjitha testet e nevojshme të kualifikimit, përfundoi me sukses studimet e tij dhe ishte 100 për qind i aftë për të pilotuar një avion”, theksoi ai.
Andreas Lubitz kishte kryer studimet në shkollën e aviacionit, në veri të Gjermanisë, më pas në Phoenix, në SHBA. Të riut me origjinë nga rajoni Rhenanie-Palatinat (jugperëndim), i shte dashur të priste 11 muaj pas përfundimit të shkollës para se të fillonte punën si pilot, një periudhë jo e pazakontë”, sipas ”Lufthansa”-s.
Ai ishte bashkëpilot që prej vitit 2013 në Airbusin A320.
“Ata që na njohin e dinë që ne i zgjedhim me shumë, shumë kujdes pilotët tanë”, theksoi Carsten Spohr duke shtuar se ”kjo është e nënshkruar në ADN-në tonë”.
”Procedura e rekrutimit të pilotëve iu lë shumë vend ekzaminimeve psikologjike, shumë testeve mbi kapacitetet teknike dhe referenciale”, nënvizoi ai.
“Ne kemi një besim absolut tek pilotët tanë (-) ata janë dhe mbeten më të mirët në botë. Për Spohr procedura e rekrutimit të pilotëve të kompanisë gjermane është e njohur në mbarë notën dhe një motiv krenarie.
E rrëzoi qëllimisht avionin
Avioni A320 i Germanwings duket se është rrëzuar qëllimisht. Piloti i dytë, Andreas Lubitz, nuk ia hapi derën kapitenit që kërkonte të kthehej në kabinë. Asnjë reagim nga kabina, frymëmarrja dëgjohet deri në përplasjen e avionit.
Në konferencën e shtypit të hetuesve francezë pohohet se me gjasë piloti i dytë e ka rrëzuar qëllimisht avionin e shoqërisë së fluturimit, Germanwings. Piloti i dytë - i cili në momentin e uljes ka qenë i vetëm në kabinë e ka nisur me ndërgjegje uljen, dhe e ka shtypur vetë butonin e uljes, tha prokurori i Marsejës, Brice Robin të enjten (26.03) në aeroportin Marinjan, pranë Marsejës. Ai ka refuzuar t'i hapë derën kapitenit që është ngritur për të shkuar në banjë dhe ka dashur të rifutet në kabinë, ka thënë Robin dhe kjo mund të interpretohet si "vullnet për të shkatërruar avionin".
Vrasje me qëllim?
Hetuesit që kanë rikonstruktuar minutat e fundit të avionit A320 kanë bërë të ditur se deri në minutat e fundit të rrëzimit piloti i dytë ka qenë gjallë. "Deri në rrëzim dëgjohen zhurmat e frymëmarrjes." Autoritetet bëjnë tani fjalë për një vrasje me qëllim, por nuk ka asnjë të dhënë për një sfond terrorist., mund të shtrohet çështja e vetëvrasjes, thotë Robin. "Asgjë nuk të thotë se mund të kemi të bëjmë me sulm terrorist", tha Brise Robin. Piloti i dytë ishte gjerman, 28 vjeçar, por emri i tij nuk gjendet në ndonjë listë terroristësh. Ai kishte filluar të punonte për Germanwings nga shtatori 2013 dhe kishte ushtruar në 630 orë fluturimi.
Pasagjerët duket se duhet ta kenë vënë re shumë vonë se çfarë po ndodh. "Ne i kemi dëgjuar vetëm në minutat e fundit britmat nga kabina", ka thënë për mediat prokurori francez, Robin. Avioni A320 është përplasur me 700km në orë me malin. Të gjithë pasagjerët kanë vdekur "menjëherë", tha Prokurori.
Ishte fillimisht gazeta amerikane "New York Times", që njoftoi se në momentin e rrëzimit të avionit në kabinën e pilotit ndodhej vetëm një pilot. Piloti tjetër është përpjekur më kot të hapte derën."
Të enjten nga hetuesit dhe prokurorët francezë u bë vlerësimi i njërës nga kutitë e zeza të avionit të rrëzuar të Germanwings në jug të Francës ditën e martë. Nga këto regjistrime u bë e ditur se njëri nga pilotët, pak para momentit të uljes së papritur të avionit, ishte larguar nga kabina dhe më vonë është përpjekur të hapë derën. New York Times" u bazua nga citimet e një "ushtaraku të nivelit të lartë" që kishte thëne se "njëri pilot jashtë troket fillimisht lehtë, por askush nuk reagon, pastaj ai troket më fort, dhe sërish asnjë përgjigje. Dhe në fund mund të dëgjosh se si ai godet derën."
Nuk është e qartë pse piloti u largua nga kabina. "E sigurtë është që në fund të të fluturimit, piloti tjetër ështe i vetëm në kabinë dhe dera nuk u hap." .
Njëri nga hetuesit është shprehur se fillimisht dy pilotët bisedojnë në gjermanisht, pastaj dëgjohet lëvizja e ulëses, një derë që hapet dhe mbyllet, pak pas kësaj dëgjohen zhurma e lehtë e trokitjes. "Nga ky moment deri në përplasje nuk ka më asnjë bisedë."
Ndaje me miqte