Kuvendi debaton për importin e mbetjeve
TRIBUNA
30 Shtator 2016
Ligji që i hap rrugën importit të mbetjeve urbane me qëllime riciklimi, i miratuar një javë më parë në parlament me votat e maxhorancës së majtë, vijon të mbajë të mbërthyer debatin në seancën e radhës së Kuvendit. Kërkesa për mbajtjen e një referendumi të përgjithshëm kundër këtij ligji, e depozituar në parlament nga Partia Demokratike e opozitës, ka shkaktuar përplasjen e radhës mes palëve.
Kryeministri Edi Rama hodhi sërish poshtë akuzat e opozitës se mbrapa ligjit qëndrojnë interesa korruptive. Ligji i ri, tha ai, nuk ka asnjë lidhje me ligjin e vjetër. Ajo që ne ndaluam (në vitin 2013) nuk është ajo që ne aprovuam tani, theksoi Rama.
Akuzës së opozitës se ligji i ri synon “të angazhojë mafien e plehrave”, kryeministri iu përgjigj se “këtë ide mund ta ketë në kokë ose një njeri që nuk ka asnjë informacion, ose dikush që ka për qëllim ligësinë ekstreme për të ngjallur e nxitur alarm e panik tek njerëzit e painformuar”.
Sipas kreut te qeverisë, Evropa importon dhe eksporton miliona ton mbetje dhe kompanitë ricikluese kanë interes të bashkëpunojnë edhe me kompanitë tona.
“Ju futeni në beteja që i keni të humbura që në fillim dhe ngrini akuza mbi asgjë. Edhe tek kjo çështje do të humbisni, siç humbët në Dibër”, iu drejtua Rama deputeteve te PD-se.
Duke reaguar ndaj fjalës së Ramës, ish-kryeministri Sali Berisha tha se me ligjin e ri ai iu ofron shqiptarëve alternativën e drogës, helmit, plehut dhe prostitucionit, në një kohë kur shqiptarët përballen me probleme të rënda të jetesës, të sigurisë dhe të punës. ?ështja e plehrave ka të bëjë me sëmundjet, epidemitë dhe me jetën e fëmijëve e qytetarëve në tërësi, ndaj kjo është per ne një çështje kapitale.
Ish-kryeministri citoi deklarata të z. Rama kundër importit të mbetjeve, kur ky i fundit ishte në opozitë, ndërsa sot, sipas Berishës, ai bëhet “avokati më i tmerrshëm i futjes së tyre ne vend, duke e ndryshuar ligjin”.
Në fund të fjalës së tij Berisha i bëri thirrje qytetarëve që të bëjnë gjithçka për ta bllokuar këtë ligj, pasi kështu do te bënin gjënë më të mirë për shëndetin e tyre, por dhe të shoqërisë shqiptare në tërësi, e cila nuk mund të zhvillohet dhe as vendi nuk mund të ndërtohet, duke e shndërruar në një vend plehrash, nenvizoi ish-kryeministri.
Ndaje me miqte