Kyriakos Mitsotakis zgjidhet kryetar i Demokracisë së Re
10 Janar 2016
Partia më e madhe opozitare greke, Demokracia e Re ka zgjedhur kryetarin e ri të saj. Kyriakos Mitsotakis, ka fituar me 51% të votave ndaj rivalit Evangelos Meimarakis, që ka marrë 49%.
Rezultatet u shpallën pak para mesnatës së të dielës. Më herët, Meimarakis i kishte telefonuar fituesit për ta uruar.
Votimi i parë për kreun e ri të demokracisë së re ishte zhvilluar muajin e kaluar, por askush prej katër konkurruesve nuk kishte arritur të fitonte maxhorancën e nevojshme.
Analistët e lexojnë rezultatin e votimit si një verdikt të elektoratit të Demokracisë së Re për t’u rinovuar partia dhe për t’u zhvendosur më afër qendrës, çka ka proklamuar Mitsotakis gjatë fushatës elektorale.
Kyriakos Mitsotakis, 47 vjeç është i biri i Konstantinos Mitsotakis, ish kryeministrit konservator të Greqisë në fillim të viteve 1990, dhe vëlla i ish ministres së jashtme, Dora Bakojanis.
I diplomuar në Harvard dhe Standford University, Mitsotakis hyri në politikë në vitin 2004, kur u zgjodh deputet me Demokracinë e Re. Në qeverinë e Antonis Samaras ai ishte ministër i reformës administrative dhe i faturohen një sërë reformash që mbaheshin të bllokuara prej vitesh.
Kryeministri Aleksis Tsipras i telefonoi kryetarit të ri të opozitës për t’i uruar fitoren dhe ranë dakord për një takim protokollar brenda kësaj jave. Vetë Mitsotakis ka qenë vazhdimisht një kritikues i ashpër i qeverisë aktuale, të cilën e akuzon si të paaftë dhe populiste.
Ndaje me miqte