0030 210 33 18 483

Leja dyditore për terroristin e njohur shkakton reagime të fuqishme brenda dhe jashtë Greqisë

Tribuna 10 Nentor 2017

Në Greqi ka shkaktuar debate të ashpra politike, por edhe pakënaqësinë e madhe të Shteteve të bashkuara, lënia përkohësisht e lirë, leje dyditore nga burgu, e njerit prej terroristëve më të famshëm në vend. Leja iu dha me kusht që të paraqitet dy herë në ditë në rajonin e policisë. Autoritetet e burgut thanë se leja u dha në përputhje me gjithë rregullat që zbatohen edhe për të burgosurit e tjerë. Bëhet fjalë për Dimitris Kufodinas, një nga liderët e organizatës më vdekjeprurëse terroriste, “17 Nëntori”, që është dënuar 11 herë me burgim të përjetshëm si atentatori kryesor i këtij grupimi marksist. Organizata u asgjësua pas një aksidenti në qershor 2002, kur një bombë plasi në duart e atentatorit i cili u arrestua. Vala e arrestimeve vazhdoi deri në janar 2003. Pas një procesi gjyqësor që zgjati me muaj, u dhanë dënime mjaft të rënda për 14 porej të pandehurve. Në 25 vitet e veprimtarisë, organizata ekzekutoi 23 persona, kryesisht biznesmenë e diplomatë, grekë dhe të huaj. Viktima e parë ishte shefi i stacionit të CIA-s në Athinë, në 1975 dhe e fundit, atasheu ushtarak i Briitanisë së madhe, në vitin 2000. Ambasadori i SHBA në Athinë Geoffrey Pyatt u shpreh në rrjetin social Twitter se “demokracitë tona mbështeten në institucionet demokratike, mirëpo leja e sotme është një poshtërim i kujtimit të viktimave dhe familjeve të tyre”. Ndërsa ambasadorja britanike Kate Smith u shpreh “thellësisht e zhgënjyer” dhe se merrte pjesë në dhimbjen që ky vendim shkaktonte në familjet e viktimave. Madje edhe Departamenti i Shtetit, nëpërmjet zëdhënses Heather Nauert, tha se ishte “shqetësuar tmerrësisht” nga lënia përkohësisht e lirë e kryeterroristit. “Diçka ndodhi sot në Greqi që shqetësoi tmerrësisht. Kjo ka të bëjë me liridaljen e një terroristi të grupit 17 Nëntori. Ne duam të dënojmë lirimin e terroristit Dimitris Kufodinas, që iu dha një leje dyditore nga një burg grek. Ai është dënuar për vrasje të shumëfishta, përfshirë atë të William Nordeen, atashe ushtarak i SHBA dhe të rreshterit të Forcave Ajrore Ronald Stewart. Ambasada jonë në Athinë i ka përcjellë qeverisë greke shqetësimin tonë për këtë vendim. Në të kaluarën disa prej njerëzve të 17 Nëntorit iu dha leje dhe nuk u kthyen në burg, prandaj ne kemi disa shqetësime në lidhje me këtë”, në nënvizoi zëdhënësja e Departmentit të Shtetit. Por një reagim i fortë ka ardhur edhe nga Turqia fqinje. “Eshtë e pamundur të kuptojmë se si një terrorist që në mënyrë të përsëritur ka vënë në rrezik jetën e diplomatëve tanë ka rastin të përfitojë nga rregulla të tilla”, thuhet në një deklaratë të ministrisë së jashtme turke, duke iu referuar fakti se dy prej viktimave të Kufodinas ishin diplomatë turq, ndërsa një i tretë u plagos rëndë. Në Athinë, plasën sërish debate të ashpra. Gjithë partitë opozitare shprehën kundërshtimin e tyre ndaj dhënies së lejes terroristit. Lideri i opozitës, Kyriakos Mitsotakis, e cilësoi dhënien e lejes së një akt të paimagjinueshëm. “Jo vetëm për shkak të akteve të tij që drejtoheshin kundër demokracisë, por edhe pse nuk ka shprehur asnjë lloj pendese për ato akte dhe mbetet një prijës i brezit të ri të terroristëve”. Por zëdhënësi i qeverisë, Dimitris Tzanakopoulos tha se vendimi ishte marrë në përputhje me ligjin dhe se shprehja e pendesës nuk ishte një parakusht. Deputetja konservatore Dora Bakojanis, bashkëshorti i të cilës, Pavlos Bakojanis u ekzekutua nga 17 Nëntori në vitin 1989, ishte dukshëm e zemëruar gjatë reagimit të saj. “Ai (Kufodinas) nuk është thjesht një terrorist. Ai ishte lider i organizatës, instruktori ideologjik i saj, që shkruajti një libër dhe tha se pas vrasjes së Pavlos ai shkoi në një tavernë dhe festoi, ndërsa fëmijtë e mi po qanin”. Gjatë dy ditëve që do t’i kalojë pranë familjes, Kufodinas do të ndodhet nën mbikqyrjen e rreptë të policisë. Në këtë mënyrë autoritetet duan t’i shmangen ndonjë ngjarjeje të pakëndshme, pasi kanë një përvojë të hidhur. Një tjetër pjesëtar i 17 Nëntorit, Christodulos Ksiros nuk u kthye në burg pas lejes së dhënë në 2014 dhe u aktivizua sërish në veprimtari guerrile, duke qenë një nga dërguesit e zarfave bombë.

Ndaje me miqte