0030 210 33 18 483

Leje qëndrimi për bashkim familjar çfarë kërkohet me vendimin e ri

19 Gusht 2015

Me një vendim të përbashkët të ministres së politikës së emigracionit dhe ministrit të jashtëm, është përcaktuar dokumentacioni që kërkohet për “dhënien e vizave kombëtare, si dhe dhënien dhe rinovimin e lejeve të qëndrimit, sipas dispozitave të ligjit 4251/2014”. Kujtojmë se ligji në fjalë, nuk është tjetër veç kodit të Emigracionit, që u miratua në qershor të vitit të kaluar. Vendimi i tanishëm i ministres së emigracionit dhe atij të punëve të jashtme, amendojnë udhëzimet e vitit të kaluar dhe kjo, sipas zyrtarëve të ministrisë së brendshme, bëhet në shërbim të përmirësimit të punës dhe eliminimit të sorollatjeve të emigrantëve. Gjithsesi, kjo, pra përmirësimi i punës, do të duhet që të shihet edhe në praktikë... Vendimi që iu është dërguar drejtorive të emigracionit, është nënshkruar aktualisht vetëm nga ministrja e politikës së emigracionit, Tasia Christodulopulu, pasi ministri i jashtëm, Nikos Kotzias (që duhet të hedhë firmën tjetër), nuk ndodhet në Greqi. Dhe, sa të kthehet ai, zbatimi i vendimit do të qëndrojë pezull, shpresojmë jo për shumë kohë... Vendimi iu prezantua “tribuna-news”-it nga Fatos Malaj, ekspert i çështjeve të emigracionit dhe ndërmjetës ndërkulturor në qendrën e shërbimit të shtetasve të huaj, Athinë A. Sipas zotit Malaj, vendimi që shpaloset në 29 faqe, sapo ka dalë dhe ai po e studion “me laps në dorë”, me qëllim që ditët e ardhshme të japë përgjigjet e duhura, për gjithë pikat që trajtohen dhe që janë të shumta. Leja për bashkim familjar Vendimi ministror përcakton dokumentacionin që kërkohet për lejen e qëndrimit për bashkim familjar: - Formulari i aplikimit, - 2 (dy) fotografi aktuale, në format pasaporte, të arkivuara edhe në trajtë elektronike (CD) dhe në formatin JPEG 2000. - Kopje të legalizuar të pasaportës së vlefshme. - Kopje të lejes së qëndrimit të personit kujdestar, e vlefshme dhe të paktën dy vjeçare. - ertifikatë lindjeje e fëmijve në Greqi, deri në ditën e hyrjes në fuqi të ligjit 4332/2015 (që u miratua në korrik të këtij viti). - Dëshmi se banon në Greqi pas lindjes së fëmijve. - Siguracion të ngjashëm me të personit kujdestar. - Taksa (paravolo) që paguhet në mënyrë elektronike, me vlerë 300 euro. Tribuna

Ndaje me miqte