0030 210 33 18 483

Lejet e jashtëzakonshme. Ku është më mirë në ministri apo periferi?

TRIBUNA 02 Shkurt 2017

Që para dy vjetësh, kur filloi (me bujë të madhe) procesi i lejeve për arsye të jashtëzakonshme, në zyrat përkatëse të ministrisë së brendshme në Pire, janë grumbulluar 18.000 aplikime, shumica dërrmuese nga emigrantë shqiptarë. Shqyrtimi i këtyre kërkesave ka ecur me “ritmet e breshkës”, por tashmë shpresohet që të përshpejtohen, pasi një pjesë e mirë e këtyre dosjeve do të kalojnë në periferi. Sipas dispozitave të reja, të interesuarit kanë dy rrugë: ose të vazhdojnë t’i lejnë dosjet në ministri, në pritje të përgjigjes, ose të bëjnë dorëheqjen dhe ta paraqesin dosjen nga e para në periferinë e vendbanimit. Theksojmë se në këtë rast, ata nuk do të paguajnë paravolo, pasi e kanë paguar një herë, kur aplikuan në ministri. Ndërmjetësi ndërkulturor në drejtorinë e emigracionit Athinë, Fatos Malaj, shpjegoi për Tribuna-News, se emigrantët që jetojnë në Athinë (ose janë prezantuar si bujtës -“filoksenumenos”), është mirë që t’i lejnë në ministri, ndërsa ata nga rrethet, t’i marrin e t’i dorëzojnë në periferi. Sipas zotit Malaj, në katër qendrat e emigrantëve që funksionojnë në Athinë, do të ketë vetëm 20 takime në ditë për të bërë dorëheqjen nga ministria dhe për ta dorëzuar sërish dosjen në këto qendra shërbimi. Në kohën që siç thamë, në ministri janë rreth 18.000 dosje -dhe numri i tyre më i madh i përket Atikës-, kuptohet që do të nevojiten vite për t’u bërë dorëzimi në periferi. Prandaj zoti Malaj mendon se për këtë kategori, pra për ata të Atikës, është mirë që t’i lejnë në ministri, ku pritet që të përshpejtohen ritmet e shqyrtimit. Ndërsa pjesa tjetër, ata që më përpara kishin ardhur nga rrethet dhe kishin aplikuar në Pire, është mirë që të bëjnë dorëheqjen dhe t’i dorëzojnë kërkesat në drejtorinë përkatëse të vendbanimit, ku sipas zotit Malaj, procesi do të zhvillohet më lehtë dhe më shpejt. Kujtojmë se, siç ka vendosur ministria e emigracionit, këto procese për lejet e jashtëzakonshme do të fillojnë nga data 3 prill 2017.

Ndaje me miqte